Ikën një tjetër këshilltar i Trump, ish-gratë e akuzojnë për dhunë

0

Njëri prej ndihmësve më të lartë të presidentit amerikan Donald Trump ka dhënë dorëheqjen pas pretendimeve për abuzime nga dy ish-bashkëshortet e tij.

Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rob Porter, nuk i pranon akuzat duke i cilësuar si fyese dhe krejtësisht të pavërteta, por sërish njoftoi se kishte vendosur të largohej. Akuzat e raportuara më së pari nga Daily Mail përfshinin dëshmitë për abuzim fizik dhe psikologjik.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportin se 40 vjeçari Porter, nuk arriti të merrte shfajësimin pasi FBI-ja intervistoi dy ish-gratë e tij, Colbie Holderness dhe Jennifer Willoughby, të cilat tregojnë histori të ngjashme sjelljeje të vrazhdë e abuzimi si verbal, ashtu edhe fizik.

Bashkëshortja e tij e parë, Holderness, thotë se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë e kishte goditur në 2003-shin kur ishin në muaj mjalti në ishujt Kanarie e disa vjet më vonë e kishte qëlluar me grusht në fytyrë, ndërsa kalonin pushimet në Firence të Italisë.

Ajo ka postuar edhe një foto ku shihet me syrin e nxirë. Willoughby ka qenë e martuar me Porterin nga viti 2009 deri në 2013. Fjalët e pista do të fillonin që në muajin e tyre të mjaltit dhe nuk do të kalonin veçse disa muaj e do të nisnin edhe abuzimet fizike.

Roli i Porterit në Shtëpinë e Bardhë përfshinte punën me presidentin dhe shefin e tij te stafit, John Kelly.