Vazhdon debati i fortë për mënyrën e caktimit të fituesit të “Topit të Artë”. Po shtohen zërat kundër këtij trofeu prestigjioz individual, ndërkohë që Real Madridi e bojkotoi “en block” këtë vit ceremoninë e dhënies së tij në Paris.
Kurorëzimi i Rodrit në vend të atij që pritej më së shumti, Vinicius Junior, i ka vendosur palët “pro dhe “kundër” nëpër llogore. I radhës që ka dhënë mendimin e tij për këtë çështje ishte Iker Casillas.
Ish-portieri i shquar, që ka fituar thuajse gjithçka në karrierë me klubin e bardhë dhe kombëtaren spanjolle, u shpreh: “Për mua është një çmim absurd! Nuk ka kritere, nuk e di kush voton për të. As që më intereson nëse njerëzit më shpjegojnë më pas se cilët janë votuesit, qofshin kapitenët, trajnerët, presidenti i Malajzisë apo i Kinës, nuk më intereson!
Kjo thjesht nuk ka kuptim për mua. Nëse duhet t’ia japësh një spanjolli, duhet t’ia japësh edhe Carvajal, gjithsesi. Rodri ka një muaj e gjysmë i lënduar. Nuk ka asnjë kriter, asgjë nuk tregon se mbi çfarë bazohet votimi.
Unë gjithashtu nuk e kuptoj se si, midis viteve 2008 dhe 2012, asnjë spanjoll nuk e fitoi ‘Topin e Artë’, aq më tepër kur fituam Kupën e Botës”.