IKNI, PO VJEN INSPEKTORI Tregim nga libri im “Hashep Gazepi”

Picture of INA
INA

08/04/2025

Sermet Sulejmani

Shkolla ime ka mbi 40 punonjës. Ka disa punonjës arsimi që mezi presin pensionin, ndërsa të tjerët ankohen gjithë ditën se kur do t’u vijë ajo kohë e bekuar. E ç’kohë e bekuar është ajo, kur “ndoshta” vetëm disa muaj apo vite do ta gëzonin. Nejse… Në shkollën e fshatit tim si mësues i gjuhës shqipe, punoja dhe nuk më kujtohet më parë të kem bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme deri atëherë. Ku punësohesha, dreqi e martë, nuk shkonte një vit apo dy, më shpallnin “armik të shtetit” e më largonin nga puna. Pas 7 viteve “dembellëku, u pranova në shkollën e fshatit tim, megjithëse u prita mirë dhe se nga unë pritej se do të bëja namin, asgjë nuk më shkoi për dore. Në fakt, aty kishte ndryshuar (për të keq) gjithçka. Ishte shkolla ime e fëmijërisë, ku kisha mësuar shkronjat e para, dhe fatkeqësisht, ajo tashmë nuk i ngjante më asgjë asaj që kisha njohur dikur. Me sa dukej, Zoti e kishte harruar këtë shkollë prej kohësh – dikur një ndër më të mirat e rajonit të Kumanovës.
Si mësues erdha me shpresë të madhe; besova se do të gjeja rregullin dhe disiplinën e dikurshme. Por ç’të shihja? Që në javën e parë përjetova diçka që as në ëndërr nuk do ta kisha parë. Përballë meje u shfaq një mozaik personazhesh të veprave të Molierit dhe Gogolit; hynin e dilnin njerëz, mes tyre “dashamirës” të arsimit, për të cilët piqej dhe servirej kafeja. Koridoret e shkollës gumëzhinin nga parregullsia e nxënësve. Shpesh qëndroja i shtangur në mes të korridorit, si dru i thatë, mu si Shvejk-u përballë gjeneralëve të tij të luftës.
Sillesha e pështillesha, ndërkohë që nxënësit më preknin sikur kishin përpara një alien. Mua më dilte djersa dhe avulli nga koka. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur drejtori ishte një djalë i urtë dhe shumë i dashur. Po ç’të bënte i shkreti me mirësjelljen dhe edukatën e tij në një “xhungël” të tillë?
Si njohës i letërsisë nuk njihesha si njeri me pak dije. Megjithatë, përpiqesha ta bëja sa më mirë detyrën e mësuesit të letërsisë. I shkreti unë, mundohesha në çdo orë të jem sa më solid, për t’u treguar bashkëfshatarëve të mi se e dua fshatin tim të lindjes dhe do të jepja gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që t’i bëja të lumtur prindërit dhe fëmijët që u jepja mësim.
Takoja kolegë të vjetër si mësuesin tim Fazli që më thoshte:
– “E ke marrë shumë seriozisht, koleg, a? Mos i jep vetes kaq shumë siklet, se s’ta di kush. Kot e ke, po përpiqesh të vrasësh miza në tavan! Shkollën tonë edhe Zoti e ka harruar!”
Ju do të pyesni: Po rrogat? A nuk i harronin t’i merrnin pagat? S’ka dyshim që jo, ndonëse ato ishin aq të ulëta sa për të blerë cigare dhe ca ushqim. Por kjo s’ishte arsyeja për gjithë këtë rrëmujë.
Një ditë morëm lajmin se javën tjetër do të na vinin inspektorët e arsimit për vizitë. Erdhi e marta dhe unë kisha mësim që në orën e parë. Me t’u futur në zyrën e arsimtarëve, vura re një heshtje të pazakontë, si të kishte ra morti. Të gjithë po shfletonin dhjetëra fletë dokumentesh dhe flisnin vesh më vesh. Dukej qartë një tension jo i zakonshëm.
– Mirëdita! – i përshëndeta.
Çudi! Askush s’ma ktheu. Të gjithë rrinin kokëulur me ato të flamosura letra që s’e kuptoja për çfarë bëhej fjalë.
– Ç’paska ndodhur, dreqi e martë! – pyeta veten.
Pas një heshtje të shkurtër, s’durova dhe pyeta:
– Ore kolegë, ç’ka ndodhur se s’po marr vesh gjë prej gjëje?
Më i vjetri, .ësues Fazliu, që kishte edhe nja gjashtë muaj para pensionit dhe s’çante kokën për hallet e zallahinë e inspektorëve, m’u përgjigj me sarkazëm:
– Nesër do të na vijnë Inspektorët e Arsimit!…
– Edhe? – pyeta pa sherr. – Epo… mirë se të vijnë!
– Do të na vijë njëfarë inspektor Agimi… apo Hashimi… ashtu…
– Si?! Agim the? Bo-bo-bo, po na vizitoka shoku im i shkollës së mesme! Hajde Agim, hajde! Na qenka bërë edhe inspektor!
Ika në klasë me plot qejf dhe qesendi.
Të nesërmën, sapo shkela në shkallët e shkollës, më priti Mahbiu, një punëtorë shumë i ndërgjegjshëm i shkollës duke më paralajmëruar me shqetësim të madh:
– Shë… shëëët!… E… e… erdhën!
– Kush erdhi? – pyeta i hutuar.
– I… i… instruktori!
– Ku… kuush?! Ç’kemi ne arsimtarët me instruktorë? Ore i uruar, mos e ke fjalën për inspektorët e arsimit?
– Instruktori apo inspektori, ku ta di unë i shkreti! Veç desha të të thosha se të gjithë ikën si minjtë nga macja! – rrëfente Mahbiu me frymëmarrje të çrregulluar.
Për bela, atë ditë isha me vonesë në punë. Jo për fajin tim, por për shkak të trafikut të madh që ishte krijuar nga një urë e prishur diku në periferi të qytetit. Pas “sihariqit” që ma dha Mahbiu, që në hyrje të shkollës, në koridorin e gjerë m’u shfaq një njeri i njohur me një ditar mësuesi në dorë, i shoqëruar nga pedagogia e shkollës.
“Heu,” – thashë me vete, – “mos është e mundur që për vizitë të më vijë që në orën e parë miku im i shtrenjtë, Agim Rezilxhiu?”
U gëzova jashtë mase, sepse “shejtanin” nuk e kisha parë prej kohësh dhe më kishte marrë malli për të. E thirra me zë të lartë dhe pa hile:
– Ooo, Agim! Po ku je maaa shoç?…
Kur, për çudi, Agimi ma ktheu shpinën dhe u bë sikur nuk më njihte. Nga ai gjest i papritur u skuqja si një qershi pranvere. S’dija si të sillesha, aq më tepër s’dija ç’t’i bëja vetes; mbeta i hutuar e duarhapur si dordolec. Ula kokën si një struc dhe u nisa drejt zyrës së arsimtarëve, sakaq nga pas dëgjova një zë që më thoshte: “Ik, ik më shpejt se të gjeti belaja!”
“E ç’bela qenka kjo?” – thashë me vete. Bëra ç’bëra, mora shpejt e shpejt ditarin e klasës së shtatë dhe ika me vrap, siç ikën një pulë nga nuselala. Nga gjithë ajo që po ndodhte, ngatërrova edhe klasën ku kisha mësim. U sorollata një kohë të mirë nëpër koridor duke menduar se në cilën klasë kisha orën, derisa mësues Aziri ma bëri me gisht nga klasa VII-3.
Atë orë, sipas planprogramit, kisha zhvillim të mësimit të ri – por për çfarë, këtë e harrova fare! Në klasë hyra duke folur me vete me zë të lartë:
“Hajde Agim, hajde! Edhe Agim, edhe ‘hashim’…”
Kur papritur, nxënësit filluan të zgërdhiheshin nga sjellja ime e çuditshme. Njërit prej tyre, çapkën, i vajti mendja të më pyeste:
– O profi, po kush është ky Agim Hashimi?… A mos është ndonjë personazh i juaji?
– Ahaa! – ofshava thellë dhe mbeta pa fjalë. M’u trash gjuha dhe s’arrija t’i përgjigjesha. U zgjova nga karrigia dhe fillova të dërdëllisja kot, sikur po zhvilloja mësim të ri. Thashë me vete: jam me fat që jam në një nga klasat më të mira të shkollës, por s’vonoi shumë dhe në klasë hyri miku im, Agim Hashimi, si inspektor. Hyri kokëulur dhe u prezantua sikur nuk më njihte fare. Ashtu veprova edhe unë. I urova mirëseardhje dhe vazhdova zhvillimin e orës.
Pas çerek ore, Agimi më thirri .e gishtin e vogël tregues dhe më kërkoi disa dokumente e letra, që për hir të së vërtetës i kisha kopjuar nga kolegët me “copy-paste”, por që s’i kisha me vete. Befas, më bëri një pyetje që më hutoi jo vetëm mua, por edhe nxënësit:
– A e pastron klasën ndonjëherë?
– Kla… kla… sën?! Ku… kush… ta pastroj… unë? – iu përgjigja i habitur, sa humba fare ekuilibrin. Fillova sërish të flisja me vete: “Ouu, ç’më gjeti! Po ky shoku im paska shkalluar fare!”
– Amani, i nderuar in… in… spektor, po klasat i pastrojnë ata që e kanë detyrë, dhe jo ne arsimtarët! – shpërtheva me trimëri.
– Mbylle! – m’u turr me zë të lartë, inspektor Agimi.
– S… si… urdhëron, e… eee mbylla! E s’e hapi më…kurrë. – ia ktheva i hutuar.
Po mendoja për një çast: kështu siç ka filluar ky miku im, pale se për çfarë tjetër do të më pyesë. Mbase edhe për turshitë e vjeshtës! Më në fund, ma bëri një pyetje që e kuptova:
– Ku e ke planprogramin e ditës?
“Më në fund, një pyetje me vend,” – thashë me vete. Me kënaqësi iu përgjigja:
– Ma… ma… marr guximin t’ju them, zotrote, se ne ju prisnim të pasnesërmen, dhe jo sot, kurse ju u treguat shumë i sjellshëm dhe na urdhëruat pikërisht një ditë më herët… Për këtë ardhje të papritur, më… më… lejoni që t’ju faliminderroj…
– Lëri ti faliminderimet për herë tjetër! Po turshitë… si ju dolën sivjet?
– Aaa!?… Tur…tur… turshitë?! – për një çast më kapi ethja dhe s’dija si t’i përgjigjesha. Thjesht më rrëshqiti diçka e pakuptimtë nga goja:
-Turshitë, the?… Po, a… po, po! I kemi nga më të mirat në regjionin tonë. Kemi hajvar dhe speca me uthull e mjaltë livadhesh e…
– Mirë, mirë… Do t’i shohim. Këtu jemi një javë, dhe do t’m’i sjellësh ca për t’i provuar, a?… E di, e di… Mos harro t’m’i sjellësh herën tjetër edhe planprogramet!
Iku drejt derës, duke fërkuar duart dhe duke bërë: “of-of-of, sa të shijshme janë turshitë…”

TË FUNDIT

Toshkovski për tragjedinë e Koçanit: Deri më tani dyshohen 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë

Shqiptarëve tanë në Maqedoni

VIDEO/ Gazetari zbulon se çfarë po ndodhë mes Eglit dhe Gjestit gjatë ditëve të fundit

Gjesti merr VENDIMIN E PAPRITUR ndaj Jozit? (Detaje)

Ndalohet kryetarja e Anti-korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i konfiskohet pasaporta dhe masa tjera

Mexhiti: Rrini rahat! Ndryshimin s’ka kush e ndalë

ME TE LEXUARA

1
Toshkovski për tragjedinë e Koçanit: Deri më tani dyshohen 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë
1
Shqiptarëve tanë në Maqedoni
1
VIDEO/ Gazetari zbulon se çfarë po ndodhë mes Eglit dhe Gjestit gjatë ditëve të fundit
1
Gjesti merr VENDIMIN E PAPRITUR ndaj Jozit? (Detaje)
1
Ndalohet kryetarja e Anti-korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i konfiskohet pasaporta dhe masa tjera

LEXO MË SHUMË

Toshkovski për tragjedinë e Koçanit: Deri më tani dyshohen 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë

Shqiptarëve tanë në Maqedoni

VIDEO/ Gazetari zbulon se çfarë po ndodhë mes Eglit dhe Gjestit gjatë ditëve të fundit

Gjesti merr VENDIMIN E PAPRITUR ndaj Jozit? (Detaje)

Ndalohet kryetarja e Anti-korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i konfiskohet pasaporta dhe masa tjera

Mexhiti: Rrini rahat! Ndryshimin s’ka kush e ndalë