Ilir Meta nuk tërhiqet nga bllokimi i paktit me Greqinë

0

Presidenti Ilir Meta ka dhënë dje sinjale se nuk do të tërhiqet nga vendimi i tij për të bllokuar paktin e detit me Greqinë deri sa të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Në një intervistë për gazetarin Ilir Babaramo në “Report TV” ai deklaroi se Kushtetuesja ka shumë rëndësi dhe ai do bëjë gjithçka që pakti të jetë sipas vendimit që ka dhënë kjo gjykatë. “Unë e kam theksuar që është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, për hir të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje dhe të vetë arsyeve për të cilat kjo marrëveshje nuk u ratifikua nga Parlamenti i kaluar, që në momentin e miratimit në Parlament të kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese, përndryshe çdo situatë tjetër nuk mendoj se do të kontribuonte në atë qëllim që ka kjo marrëveshje, pra dhe të zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë, por edhe të forcojmë raportet e miqësisë dhe të partneritetit me Greqinë si një vend mik”, tha ai. Ndonëse Greqia dhe vetë ministri Kotzias ka thënë se është presidenti ai që mban peng paktin, Meta deklaroi se është duke bërë gjithçka për një pakt të drejtë. “Unë mund t’ju them se kam përmbushur në mënyrën jo vetëm më kushtetuese, por edhe më konstruktive, edhe institucionale, edhe shoqërore, edhe njerëzore, të gjitha detyrimet e mia, në mënyrë që kjo marrëveshje të realizohej në përputhje me Kushtetutën, me interesin tonë, por edhe me interesin e përbashkët sepse kuptohet është marrëveshje e të dyja palëve, nuk mund të jetë një marrëveshje e njëanshme dhe për këtë qëllim kam bërë të gjitha veprimet e duhura institucionale edhe informale për të dhënë një kontribut të tillë dhe mbetem ende në këto pozita”, tha ai.

Meta për reformën në drejtësi

Presidenti Ilir Meta vijon të jetë në një linjë me opozitën sa i takon situatës në drejtësi dhe reformës që ka nisur aty. Dje ai deklaroi se në kuadër të ngërçit të krijuar në drejtësi ka ardhur koha të rishikohen ligjet, kërkesë kjo e bërë dhe nga opozita. Sipas tij, ligjet duhet të harmonizohen me Kushtetutën. “Duhet të kemi një Komision të Emërimeve në Drejtësi funksional ndërkohë që ai që ishte mund të kishte funksionuar prej kohësh dhe, natyrisht, për të dalë nga një situatë që shpeshherë duket si një ekstraligjore, mendoj që një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapa të shpejtë në krijimin e këtyre institucioneve dhe funksionimin e tyre”, tha ai. Meta u shpreh se ka ardhur koha të rishikohen ato dispozita që sjellin vështirësi në zbatimin e ligjeve. “Pra për një sqarim, në mënyrë që të rishikonim gjithçka, që nga praktika rezulton e vështirë apo e pamundur, në mënyrë që ne të krijonim një mjedis të pakontestueshëm nga ana ligjore dhe kushtetuese për krijimin e këtyre institucioneve”, tha ai. Kreu i shteti u ndal dhe te zhvillimet e ditëve të fundit si rastet “Babale” apo “Xhisiela”, ku nuk kurseu thumbat ndaj policisë dhe prokurorisë. Ai u shpreh se duhet të qëndrojnë jashtë ndikimit politik. “Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve, të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo mund të cenohet sepse kjo, mendoj, do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe, së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët”, tha ai./Sot.al