Ilire Dauti: Mbështetja financiare për bizneset të përdoret për qëllime saktë të përcaktuara

0

Ilire Dauti nga Departamenti ekonomik i Aleancës për Shqiptarët në konferencën e sotme për shtyp theksoi që qeveria harxhon energjinë më tepër për interpretim se sa në përmbajtjen e masave dhe ndihmën që mund t’ju ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve, është shumë normale që lëshimet në zbatim janë evidente.

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë, i nderuar komunitet i biznesit!
Ju tanimë e dini që përderisa qeveria harxhon energjinë më tepër për interpretim se sa në përmbajtjen e masave dhe ndihmën që mund t’ju ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve, është shumë normale që lëshimet në zbatim janë evidente.

Në këtë drejtim jo vetëm që numri i ndërmarrjeve që fituan të drejtën për mbështetje financiare për pagesë të rrogës në vlerë prej 14 500 den ishte vetëm 24% nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme sa ka në vendin tonë, por edhe ata që e fituan mbështetjen, të njëjtën nuk mund ta shfrytëzojnë për qëllimin e destinuar. Kjo për shkak se parat për mbështetje financiare shumë subjekteve afariste iu lëshuan në xhirollogari të cilat nuk i kishin përdorur për kohë të gjatë, me ç’rast iu ishte akumuluar borxh në emër të provizionit bankar.

Nga kjo pakujdesi e transferit të mjetve, sidomos u dëmtuan shumë biznese familjare që në vend që me ato para të bënin pagesën e rrogave ata përfunduan për shlyerje të provizionit bankar.
Sigurisht që parimi i likuiditeti duhet të respektohet, por në këtë kohë kur shumë biznese familjare rrezikojnë ndërprerjen e aktivitetit afarist mendojmë që duhet pasur tolerancë dhe mirëkuptim.

Duke pasur për bazë pakujdesit e tilla, nga Aleanca për Shqiptarët bëjmë thirrje që tani në prag të aplikimit për të njëjtën masë për muajin maj, e që tani në fillim të qershorit pritet të jenë edhe aplikimet, qeveria të bëj kujdes në detaje të cilat për pasojë kanë largimin e punëtorëve nga puna apo edhe vet mbylljen e shumë bizneseve familjare. Konkretisht kërkojmë që në formularët e aplikimit ndërmarrjet të kenë mundësi të zgjedhin vet se në cilën xhirollogari të tyre t’u transferohen mjetet financiare nga masat e qeverisë.

Duke parë që Aleanca për Shqiptarët pati reaguar për aplikimet për muajin prill që të shtyhet afati i aplikimit të ndërmarrjeve dhe Drejtoria e të Hyrave Publike e pati pranuar në heshtje këtë propozim, bëjmë thirrje që edhe kësaj here kërkesën tonë ta merr parasysh, me qëllim që mbështetja për bizneset megjithëse jo e mjaftueshme të mund të shfrytëzohet për qëllimet saktë të përcaktuara.