Incidenti në Kuvend, Sela: Nuk dua të komentoj sjelljet banditeske!

“Çdo njeri që i sheh incizimet mund ta kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe kush e ka provokuar incidentin”. Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i pyetur nga gazeta LAJM, për incidentin në Komisionin Parlamentar për Çështje Evropiane që ndodhi ditë më parë në Kuvend. Më tej, ai tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje për të komentuar, siç tha ai, sjelljet banditeske.

“Mendoj që ka ardhur koha që komentimet e realta t’i bëjmë jo palët e involvuara. Nuk ma merr mendja dhe s’dua ta besoj në fakt, që ekziston ai rregulli që për ta mbajtur nën kontrollë një shoqëri, duhet të ekzistojë një gjendje, një çmenduri e kontrolluar. Secili njeri me dy gram mend në kokë mund t’i shoh incizimet dhe ta shoh se kush e ka provokuar incidentin dhe çfarë ka ndodhur me incidentin. Prandaj, nuk dua të hyjë në vlerësime më tepër që t’i komentoj sjelljet banditeske”, u shpreh Sela për gazetën LAJM.