Tensionohen edhe më tej marrëdhëniet mes Indisë dhe Pakistanit.
Pak ditë pasi një grup militant sulmoi dhe vrau 26 persona në rajonin e Kashmirit indian, India ka sulmuar këtë të martë 9 vende të ndryshme në Pakistan.
“Forcat e armatosura indiane nisën ‘OPERACIONIN SINDOOR’, duke goditur infrastrukturën terroriste në Pakistan dhe Kashmirin e pushtuar nga Pakistani, nga ku janë planifikuar dhe drejtuar sulme terroriste kundër Indisë”, tha qeveria indiane në një deklaratë.
Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze tha për mediat se India kishte sulmuar Pakistanin me raketa në tre vende dhe se Pakistani do të kundërpërgjigjej.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është pyetur në lidhje me sulmet me raketa të Indisë në territorin e kontrolluar nga Pakistani.
“Sapo dëgjuam për këtë. Është për të ardhur keq”, u tha Trump gazetarëve, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv
Ai tha se “njerëzit e dinin se diçka do të ndodhte bazuar në të kaluarën”, sepse të dyja palët kanë luftuar “për shumë dekada dhe shekuj”. “Shpresoj vetëm të përfundojë shumë shpejt,” shtoi Trump.(INA)