Deputetja Duda Balje ka bërë me dije se ka marrë disa thirrje telefonike nga një mik i saj, i cili nuk është i përfshirë në politikë, që i kanë përmendur mundësinë për të diskutuar një aplikim për punë që ajo kishte bërë vite më parë në Maqedoninë e Veriut, për pozicionin e profesoreshës.
Balje tha se kjo ofertë iu bë në mënyrë indirekte, me kusht që ajo të votonte Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo e ka refuzuar këtë propozim.
Ajo shtoi se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar në lidhje me kandidaturën e propozuar nga Vetëvendosje.
“Kam marrë disa thirrje nga persona të njohur, por jo nga politika por shoqëri. Vërtet kam aplikuar për pozicionin e profesoreshës, pasi kam shtetësi maqedonase, por kjo ka ndodhur para disa vitesh dhe nuk kam bërë aplikim tjetër më pas. Nuk më është bërë një ofertë e drejtpërdrejtë, por një mjeke nga Kosova më ka kontaktuar, s’më kujtohet emri, dhe unë kam refuzuar pasi nuk i njoh këta persona. Kam marrë dy-tre thirrje…”, tha Balje. /Telegrafi/