Përderisa kërkesat për punëtorë po rriten çdo ditë e më shumë, në vend po vazhdon trendi i zvogëlimit të të punësuarve në ekonomi. Të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se numri i të punësuarve është ulur me mbi 4% në vit. Pothuajse në të gjitha pjesët e ekonomisë së Maqedonisë ka mungesë të punëtorëve. Shqetësues është fakti se do të ketë një periudhë kur punëtorët sezonal nga vendi do të zhvendosen në qendrat turistike të rajonit. Në mars të këtij viti, numri i punëtorëve është ulur për 4.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Këto janë të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Të dhënat tregojnë se numri i punëtorëve në industrinë përpunuese, ku janë të punësuar shumica e qytetarëve të vendit, është ulur me 4.5 për qind. Shqetësues është se ka rënie të numrit të të punësuarve në sektorin energjetik, i cili konsiderohet si një nga sektorët më të kërkuar nga qytetarët kur bëhet fjalë për punësime të reja.
“Numri i punëtorëve në sektorin e Minierave dhe Guroreve në mars 2025, krahasuar me mars 2024, është ulur me 2.1%, në sektorin e Përpunimit me 4.5%, dhe në sektorin e Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz, Avull dhe Kondicioner me 1.8%. Sipas grupeve kryesore industriale, numri i punëtorëve në industri në muajin mars 2025, krahasuar me marsin 2024, ka shënuar rënie te Energjia me 2.8%, te Mallrat Kapitale me 7.3%, Mallrat e Ndërmjetme, me përjashtim të Energjisë me 0.5% dhe Mallrat për Konsum jo të Qëndrueshëm me 6.1%, dhe me 13.4% në Mallrat e Konsumit të Qëndrueshëm”, thuhet në raportin e ESHS-së.
Paradoksi është aq i madh sa të dhënat e statistikave thonë se në Maqedoni janë rreth 95 mijë qytetarë të papunë. Shkalla e papunësisë në fund të vitit të kaluar ishte 11.9%. Aktualisht në Maqedoni janë të punësuar të rregullt 700.526 qytetarë.(koha.mk)