Instagram nën hetim sepse “nuk po i mbron adoleshentët”

Një rrjet social i njohur është vënë nën kritika nga ligjvënësit amerikanë për ndikimin e tij të dëmshëm në shëndetin mendor të adoleshentëve.

Një grup prokurorësh nga SHBA njoftuan se po hetojnë nëse Meta, e njohur më parë si Facebook, ka shkelur ligjin shtetëror për mbrojtjen e konsumatorit duke promovuar aplikacionin e saj në Instagram për fëmijët dhe adoleshentët, edhe pse ajo e dinte për dëmtimin e këtij shërbimi.

“Facebook, tashmë Meta, ka dështuar të mbrojë të rinjtë në platformat e tij dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të injorojë ose, në disa raste, të rrisë makinacionet e njohura që përbëjnë një kërcënim real për shëndetin fizik dhe mendor – shfrytëzimin e fëmijëve në interes të përfitimit”, thuhet në deklaratë.

Hetimi po udhëhiqet nga prokurorët e shtetit nga Massachusetts, Kalifornia, Florida, Kentaki, Nebraska, Nju Xhersi, Tenesi dhe Vermonti. Ky grup do të shqyrtojë mënyrat se si Meta ka rritur “kohëzgjatjen dhe frekuencën e përdorimit të Instagramit nga përdoruesit më të rinj” dhe se si ky përdorim i shtuar ka qenë i dëmshëm.

Wall Street Journal publikoi një seri historish, të bazuara pjesërisht në dokumente të publikuara më parë, duke përfshirë një artikull se si Facebook e di se Instagram është “toksik” për vajzat adoleshente, duke përkeqësuar imazhin e tyre trupor dhe shëndetin mendor.

Nga ana tjetër, rrjeti social pretendon se hulumtimi është “keqinterpretuar” dhe vë në dukje se studimi ka treguar gjithashtu se disa adoleshentë ndihen më mirë me trupin e tyre pas përdorimit të Instagramit.

Ligjvënësit amerikanë po mbajnë gjithashtu seanca dëgjimore për ndikimin e mediave sociale tek të rinjtë.

Instagram së fundmi ka punuar në veçori të reja që synojnë përmirësimin e shëndetit mendor, duke përfshirë një mjet që u kujton përdoruesve të bëjnë një pushim nga platforma.