Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi organizoi tryezë rreth reformës së decentralizimlit fiskal

Iliria News Agency
Iliria News Agency

30/01/2023

Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” sot në Shkup organizoi debat publik me temë “Për reformë të mirëfilltë të decentralizimit fiskal”.

Panelistët e debatit ishin: Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit, Florije Miftari – Këshilltare për Vetëqeverisje Lokale e Bilall Kasamit, Kryetarit të Komunës së Tetovës, Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit, Arben Fetai – Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi.

Debati u zhvillua si paraprirje e hulumtimit që është duke zhvilluar Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi mbi gjendjen e decentralizimit në Maqedoninë e Veriut, i cili është në vijim e sipër.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Publike, Arben Fetai, theksoi se decentralizimi është ndër prioritetet e Institutit përshkak të rëndësisë jetike të decentralizimit në përmbushjen e detyrimeve që kanë insititucionet ndaj qytetarëve. Në këtë aspekt ai theksoi se Maqedonia e Veriut, së bashku me Moldavinë mbeten ndër shtetet më të centralizuara në Evropë dhe prandaj si Institut mbetemi të fokusuar në këtë fushë.

Duke demostruar nivelin e centralizimit të Maqedonisë së Veriut, ai përmendi se në Maqedoninë e Veriut raporti në mes të ardhurave komunale me të ardhurat e përgjithshme publike, është diku 15.7% e të ardhurave komunale, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është 23.5%. Për më shumë, komunat tona vuajnë nga një nivel tejet i ulët i të hyrave vetjake dhe një varshmëri të skajshme nga transferet me destinim nga pushteti qendror.

“Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal duhej të ulte pabarazitë zhvillimore në mes të komunave dhe rajoneve, mirëpo fatkeqësisht ajo nuk po ndodhë meqë mungon implementimi i Ligjit, ku për shembull vitin e kaluar vetëm 7.8 milionë euro janë destinuar për zhvillim të barabartë rajonal, që është shumë më pak nga ajo që parashihet me ligj”- tha z. Fetai.

Ai po ashtu përmendi raportin e publikuar në tetor nga IPP Arbën Xhaferi, me çka u vërtetua që në shpërndarjen e dotacioneve, niveli qendror i qeverisjes bën diskriminim të trefishtë ndaj komunave, edhe atë në baza rajonal, kombëtare dhe politike. Prandaj, ai tha që nevojiten reforma urgjente sa i përket decentralizimit fiskal edhe atë në 3 drejtime:

Reformimi dhe harmonizimi i kornizës ligjore që të zgjerohen kompetencat e komunave dhe të eliminohen paqartësitë ligjore.
Të rritet autonomia fiskale e komunave përmes decentralizimi funksional.
Të rishikohet ndarja territoriale: në kontekstin e krizës ekonomike dhe energjetike, në BE diskutohet çdo here e më shumë nevoja për fuzionim të komunave dhe kjo ka filluar të ndodhë në shumë vende të Evropës. Në Maqedoninë e Veriut, kjo temë ngelet tabu.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, foli për varshmërinë financiare që komunat në përgjithësi dhe Komuna e Gostivarit në veçanti, kanë nga niveli qendror i qeverisjes. Ai theksoi se komunat janë faktikisht jofunksionale për shkak të mungesës së kapaciteteve financiare që ato kanë, dhe ky është një kthim mbrapa krahasuar me kushtetutën e vitit 1974 ku komunat kishin jashtëzakonisht më shumë kompetenca sesa që kanë sot.

“Komunat sot janë të detyruara të hyjnë në borxhe meqë të ardhurat nga buxheti qendror janë të destinuara specifikisht për kompetenca të caktuara”, tha mes tjerash z.Taravari. Ai theksoi se edhe përkundër dotacioneve nga niveli qendror, përsëri Komuna e Gostivarit duhet të dedikojë 2.5 milionë denarë nga buxheti bazë për zjarrfikësit për të mundësuar funksionimin normal të shërbimit në Gostivar. Pra, dotacionet mbeten të pamjaftueshme dhe komunat përsëri duhet të japin nga buxheti i tyre bazë.

Taravari po ashtu theksoi qasjen jo të drejtë të nivelit qendror ndaj komunave të qeverisura nga partitë opozitare.

“Gjatë kohës që Teuta Arifi ishte Kryetare Komune në Tetovë, shumica e rrugëve dhe projekteve të tjera në Tetovë bëheshin nga niveli qendror në Tetovë, ndërsa në komunën e Gostivarit investimet kryesisht bëheshin në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe ambasada mike. Pra, këto investime ishin 2 apo 3 fish më të mëdha sesa investimet nga niveli qendror”, u shpreh z.Taravari.

Arben Taravari theksoi nevojën për thellim të decentralizimit fiskal dhe fuqizim të komunave, meqë qeverisja lokale mbeten institucioni më i afërt me qytetarët.

Zonja Florije Miftari shprehu keqardhje për ngecjen e procesit të decentralizimit në Maqedoninë e Veriut.Ajo poashtu foli mbi komunikimin joadekuat në mes të niveleve të qeverisjes, kryesisht për shkak të dallimit të partive politike që menaxhojnë me komunat dhe ato që menaxhojnë me pushtetin qendror. Si shembuj konkretë, ajo përmendi tendencën e institucioneve qendrore për të penalizuar komunat opozitare po edhe rastin e bllokimit të xhirollogarisë së Komunës së Tetovës si dhe rastin tjetër ku Ministria e Punës dhe Politikës Sociale pamundëson rekrutimin e punëtorëve në çerdhe edhe pse pagat e tyre do të paguheshin nga buxheti komunal.

Për më tepër ajo theksoi që niveli qendror i qeverisjes shpesh pamundëson realizimin e projekteve kapitale përmes mospranimit të propozim projekteve që vijnë nga komunat në mënyrë që të dështojnë kryetarët e komunave të partive opozitare, të cilët edhe ashtu e kanë të vështirë të realizojnë projekte kapitale meqë siç theksoi ajo ‘’vetëm 0.7% e dotacioneve janë dotacione kapitale, çka u pamundëson udhëheqësive të komunave të realizojnë premtimet e tyre, sepse buxhetet e komunave shkojnë për paga dhe shpenzime të tjera administrative.’’ Ajo theksoi se kanë kërkuar që vlera e TVSH-së që u mbetet komunave të jetë dyshifrore, apo së paku 10%, mirëpo kjo ka ngecur si reformë.

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani foli për pabarazinë fiskale në mes të komunave rurale dhe atyre urbane. Ai theksoi se raporti i shpërndarjes së fondeve nga niveli qendror është 1 me 20, apo 30 euro për kokë banori në komunat rurale, ndërsa 600 në komunat urbane.

Shabani potencoi se komunat rurale përballen me probleme specifike dhe më të thella, siç është migrimi masiv. Komuna e Vrapçishtit, sipas tij, ka humbur diku 21% të popullatës rezidente që nga viti 2002 dhe kjo veçse e thellon pabarazinë, duke e ditur që formulat e shpërndarjes së mjeteve nga niveli qendror marrin për bazë popullatën rezidente.

Shabani theksoi nevojën për krijim të një Fondi për barazi në mes komunave i cili do të shërbente për të zbutur pabarazinë horizontale në mes të komunave.

Në anën tjetër, Bardhyl Marku, përfaqësues i USAID në Maqedoninë e Veriut si pjesëmarrës në debat u dakordua me panelistët dhe shprehu keqardhje për ngecjen e procesit të decentralizimit fiskal. Po ashtu, theksoi nevojën urgjente të decentralizimit funksional dhe shpjegoi punën që bën USAID për rritjen e kapaciteteve të komunave për mbledhjen e mjeteve vetanake dhe reformën e vetëqeverisjes locale, përfshirë krijimin e një fondi për barazim fiskal, një fond për huadhënie drejt komunave dhe reformën e Byrosë për zhvillim rajonal.(INA)

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

klasa

MASH i ka njoftuar shkollat se ditët jopune për shkak të zgjedhjeve do të punohen të shtunave

republika serpska

Republika Sërpska miraton raport që e mohon genocidin në Srebrenicë

KSHZ-Komisioni

Nisi fushata Parlamentare – 17 parti në garë zgjedhore!

Ilija Dimovski vmro

Dimovski: Marrëveshja e Prespës është një padrejtësi për maqedonasit

Policia-e-Kosoves-800x445

Lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Jankoviq i arrestuar nga Serbia

Ali Ahmeti tubim

Ahmeti: Ky bashkim i forcave progresive garanton qëndrueshmëri, stabilitet, barazi dhe integrim

selanik -automjete ushtarake

Arrijnë në portin e Selanikut 76 automjete ushtarake, donacion i Norvegjisë për Maqedoninë e Veriut

moti shiu

Mot i ndryshueshëm me shi të përkohshëm dhe më freskët, deri në 18 gradë

sulmet iriani izrael mbrojtja raketore raketa

CNN: Izraeli e sulmon Iranin

INFO

NA NDIQ