Instituti shqiptar në Shkup hap departamentin për studimin e holokaustit

0

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve ka bërë sot hapjen e Departamentit për edukimin dhe studimin e Holokaustit. Drejtori i këtij instituti, Skender Asani, duke folur për kontributin që kanë dhënë shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjëve gjatë periudhës së Holokaustit, tha se me hapjen e këtij departamenti është vendosur një gur në themelin e vlerave të qytetërimit dhe që synon ndërgjegjësimin e përgjithshëm shoqëror, për një moment të historisë që, siç u shpreh ai, nuk e lë indiferent asnjë qënie të qytetëruar.

Skender Asani, ITSHKSH: Në të vërtetë, ky departmanet nuk është i rëndësishëm vetëm sepse është i pari i këtij lloji në rajon, as vetëm sepse do të jetë edukimi më i mirë dhe më i saktë institucional për historinë e vuajtjes së një populli në një periudhë të historisë por, sepse duke edukuar për Holokaustin, duke i njohur historitë që presin të shkruhen, arrijmë të rinjohim veten tonë.

Ndërkohë, ambasadori gjerman në Shkup, Tomas Gerberih, tha se ky departament është shumë i rëndësishëm, sidomos për gjeneratat e reja. Sipas tij, ky institut u jep mundësi studentëve të ardhshëm dhe hulumtuesve që të thellojnë njohuritë e tyre në pjesën e komunitetit hebre dhe për vuajtjet e tyre gjatë periudhës së Holokaustit.

Tomas Gerberih, Ambasador i Gjermanisë: Garanca më e mirë kundër totalitarizmit, fashizmit dhe social-nacionalizmit është dhe mbetet të kujtohet Holokausti. Për të gjithë ne, ka të bëjë me atë që të mbahen gjallë memorja rreth Holokaustit. Dhe instituti juaj synon të arrijë pikërisht këtë. Kujtimi i Holokaustit ka rëndësi për të gjithë, që të mbrojë dhe të ruaj të drejtat e çdo qenieje njerëzore.

Në ceremoninë e hapjes së këtij departamenti, ishin të pranishëm edhe ambasadori i Izraelit në Shkup, ministri izraelit i Jerusalemit dhe mbojtjes së ambientit dhe pjesëtarë të tjerë të korit diplomatik.