Intelektuali injorant

0

Nga Qani Osmani

Ne nuk kemi një klasë të mirfilltë intelektualësh që janë bërë të tillë permes punës së palodhshme. Më së shumti ne kemi pasur individë të cilët e përfituan shkollimin nga lidhjet me pushtetin, dhe transferuan privilegjet e arsimimit tek pasaardhësit e tyre!

Prandaj edhe jetojmë në një kohë të pakohë, në një shtet pa shtet, në një shoqëri pa respekt, në një vend ku gjithçka e keqe po lulëzon dhe e mira, e ndershmja, njerëzorja, humanja, patriotikja, po përbuzet e nëpërkëmbet nga të gjitha anët dhe me të gjitha mënyrat. Nuk ka ndërgjegje, nuk ka sinqeritet, nuk ka respekt, asgjë nuk ka vlerë, as edhe ajo që po e bëjmë me mund e me djersë, me sakrifica e me vullnet të madh nuk respektohet nga se është koha e maskave të atyre që nata i gjen analfabet e dita i zbardhë magjistra. doktorë shkencash, patriotë, atdhetarë, të vetëquajtur bashkërisht si intelektualë.

Të jesh apo të mos jesh? Kjo është pyetja kyçe që më del përballë. Shpesh herë jemi dëshimtarë të sjelljeve të dobëta të “klasës së ngritur” apo të intelektualëve. Kjo kategori e njerëzve mbi vete ka shumë përgjegjësi të cilat duhet t’i mishirojë në forma dhe në nivele të ndryshme. Përderisa dikur i diplomuari dhe i shkolluari gëzonin një privilegjë të veçant në mesin e shoqërisë sonë (shumë nga këto kanë keqëpërdorur mos-vigjilencën e masës) e cila vuante për univerzitet, sot, kur këto i kemi me bollëk, vuajmë për edukim dhe shkollim të mirëfilltë dhe intelektual që ka të ngulitur thellë në mendjen e tij përgjegjësinë e të qenurit më i informuar ose më ditur se të tjerët.

Pra, me të drejtë shumëkush nga ne njerëzit e rëndomtë kemi menduar se udhëheqësi, lideri, ministri, profesori, mjeku, arsimtari, etj. janë njerëz të “ngritur”,më të dalluar se të tjerët, të dëshmuar në profesionin e tyre, të ndershëm etj. pra të “zgjedhurit e popullit”. Ky është një gjykim i drejtë, sepse kështu duhet të jetë, kështu duhet të funksinojë!

Por, de faktogjendja është shumë dëshpruese dhe degraduese. S’di nëse gabohem të them se edhe de jure situata është alarmante. Sistemi i kurdisur legjislativ dhe plotësim ndryshimet ligjore të mëvonshme janë bërë më tepër në favor të të regjujve, hajdutëve, kusarëve, bandave, interesave klanore etj. se sa në favor të nevojave reale të vendit dhe të qytetarëve. Dhe pikërisht kjo gjë është përgatitur dhe hartuar nga “intelektuali injorant” që na del përballë çdokund dhe po na zë frymën sot si “politikan që gëzon funksion, si lider partiak, si analist politik, ekonomik”… etj. Shumë nga ata që dështuan (por xhepat i zmadhuan) në profesionin që ushtruan në të kaluarën, sot “shesin mend” nëpër mediat vendore dhe rajonale për interesa të caktuara. Kjo racë intelektualësh, ka bërë kërdinë në të gjitha nivelet e funksionimit të shoqërisë dhe shtetit.

Nga kjo klasë intelektualësh injorant sot si produkt kemi një “masë të hutuar” dhe një “rini që mendon vetëm për facebook”. Kjo mendësi e pacipë, i shëndroi shkollat dhe universitetet në vende ku shfaqet moda, pallatet e kulturës në qendra të amoralitetit, shtëpitë e Zotit në qendra formalitetesh, spitalet në qendra biznesi, kafenetë në qendra debati, institucionet shtetërore në shtëpi të tyre… etj. Thënë pak më ndryshe, shfrenimi i intelektualit e shndërroi qenien njerëzore në mall tregtie, keqëpërdori aftësitë dhe mirësjelljen e tij, përdhunoi vlerat që ai i çmon lartë, e bëri atë të ndjehet i huaj në shtëpinë e tij, e largoi atë nga prona dhe atdheu i tij…Por, çështja që na bën të ndjehemi edhe më të trishtuar është këmbëngulja e kësaj klase intelektuale për të vazhduar kjo mendësi!

Sot, të paktë janë ata intelektualë që me shumë respekt e meritojnë këtë titull, por që janë të ndrydhur prej të lartpërmendurve, prej atyre që bajgën e reklamojnë si ëmbëlsirë e zërin e korbit e paraqesin si zë bilbili. Puthadorë sa të duash e pakurrizorë që as skraja e shiut nuk ua kalon, bile ua ka lakminë. Kjo që themi është shumë më pak përballë atyre veprimeve të pista që pë bëjnë. Eh, sa të çuditshëm janë disa “intelektual”. Nëpër tavolinat e kafeneve të ndryshme nuk lanë pushtetar dhe zyrtarë shqiptarë pa i sharë dhe ofenduar për keqpërdorimin e pushtetit dhe për qeverisjen e tyre të dobët!

Nga ana tjetër, po këta persona që vehten e quajnë “intelektual” i shikon duke u fotografuar dhe duke i lavdëruar zyrtarët e njëjtë shqiptarë në rrjetin social fejsbuk. Çfarë dyftërsie dhe demagogjie?! A thua vallë pritet gjë nga këto “intelektual” demagog të etur për karrige?! Fatkeqësisht asgjë! Përpos ambicieve të tyre të sëmura! Shqiponja e kishte pyetur kërmillin se si arrite deri në maje? Ai ishte përgjigjur: DUKE U LIGAVITUR!

Miq të dashur, nuk arrihet çdo gjë në jetë si puna e kërmillit. Për të arritur në piedestal dhe të lësh gjurmë të mira në jetë nevojitet: dituri, ndershmëri, dinjitet, guxim, dhe vizion! Kjo kategori e “intelektualëve” u përngjanë plepave që rriten shumë lartë dhe se rrënjë fare nuk kanë dhe kështu një erë sado e lehtë, i shkul nga toka. Këto intelektual do të zhduken sikur ajo bora e pranverës. Dhe kjo shumë shpejtë do të ndodhë. Vlerat nuk ka mundur t’i zhbëj askush dhe as ju nuk do ta bëni këtë. Të jeni të bindur se fundi është i afërt, por turpi do t’u përcjellë gjatë tërë jetës.