Herculaneum ishte një qytet antik në Campania që u zhduk gjatë shpërthimit të malit Vezuvius më 24 gusht 79 pas Krishtit. Sipas legjendës, ajo u themelua nga Herkuli, dhe sot qyteti italian i Ercolano qëndron në vend të tij.
Për 1600 vjet, Herculaneum qëndroi i mbuluar me hi dhe u zbulua në vitin 1709, kur filluan gërmimet e detajuara. Përveç mbetjeve njerëzore, u gjetën vepra të ndryshme arti, si dhe një bibliotekë plotë me letra papirusi me dorëshkrime të lashta.
Biblioteka e lartpërmendur, e quajtur “Vila e Papirusit”, ishte një kopje e zvogëluar e Bibliotekës së Aleksandrisë dhe e mbushur me rafte dhe dollapë.
Numri më i madh i dorëshkrimeve, nga gjithsej 1800, u gjet nën një shtresë të trashë hiri, kështu që nuk ishte e mundur të zbërtheheshin dhe lexoheshin, transmeton LadBible.
Por, shkencëtarët nuk u dorëzuan, të vendosur për të zbuluar se çfarë sekretesh fshehin shkrimet e lashta.
Kështu, në vitin 2023 nisi “Sfida e Vesuvit”, e cila përfshin çmime të konsiderueshme (fondi total është një milion dollarë) për studiuesit që arrijnë të deshifrojnë dorëshkrimet.
Ekspertët u vunë në punë, duke besuar se letrat nga Herculaneum përmbajnë “një tekst të paparë ndonjëherë nga antikiteti”.
Kështu vijmë te Youssef Nader (Gjermani), Luke Faritor (SHBA) dhe Julian Schilliger (Zvicër) të cilët lexuan 15 rreshta nga një letër duke përdorur një makinë kodimi të mundësuar nga inteligjenca artificiale.
Është një procedurë komplekse që përfshin skanimin e papirusit dhe më shumë detaje mund të mësoni në videon e mëposhtme.
Teksti i deshifruar është pjesë e filozofisë epikuriane mbi temën e kënaqësisë. Shkronjat e lashta greke janë zbuluar dhe duket se autori (ndoshta filozofi dhe poeti Filodemus) po diskuton “nëse gjërat e rralla janë më të këndshme për shkak të kësaj”.
“Ashtu si në rastin e ushqimit, ne nuk besojmë menjëherë se gjërat e rralla janë absolutisht më të këndshme se ato që janë të bollshme”, thuhet në një pasazh.
Në paragrafin e fundit, autori kritikon kundërshtarët intelektualë që “nuk kanë çfarë të thonë për kënaqësinë, qoftë në përgjithësi, qoftë në veçanti, kur bëhet fjalë për përkufizimin”.
Organizatorët e “Vesuvius Challenge” theksojnë se është deshifruar 5 për qind e një letre, për këtë arsye vazhdojnë me fushatën dhe rrisin fondin e çmimeve në vitin 2024.