Interes i shtuar për tu regjistruar në UEJL – Akreditohet Arkitektura dhe Dizajni

0

Në Universitetin e Evropës Juglindore interesimi i studentëve për tu regjistruar në programet studimore është mjaft i kënaqshëm, thonë në Shërbimin Studentor. Interesim të shtuar ka në të gjitha programet studimore dhe në veçanti në programet e reja të akredituara.

Studentët e ardhshëm të Universitetit të Evropës Juglindore, për herë të parë në vitin e ri akademik, do të kenë mundësi të zgjedhin të studiojnë për Arkitekturë dhe Dizajn, dhe të kualifikohen si Master shkencor në Arkitekturë dhe Dizajn.

Programi studimor është akredituar dhe i njëjti ofrohet në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, është pesëvjeçar dhe në përfundim të studimeve i diplomuari kualifikohet dhe është i aftë t’u jap zgjidhje funksionale dhe estetike objekteve arkitektonike, me funksione të ndryshme, nëpërmjet përdorimit të materialeve bashkëkohore, mobileve, ngjyrave dhe dritës sipas nevojave të projektimit, ndërtimit dhe dizajnit.

“Ky program studimor u dizajnua dhe ofrohet për studentët e ardhshëm pas një studimi afatgjatë të nevojës së tregut dhe kërkesave të maturantëve për këtë profil profesional. Ne kemi realizuar anketa, i kemi analizuar kërkesat dhe i kemi krijuar kushtet qoftë si kapacitetet hapësinore, ashtu edhe të kuadrit që studentëve tu ofrohet më e mira”, thotë dekani i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Prof. Dr. Adrian Besimi.

Programi Arkitekturë dhe Dizajn ka një staf akademik të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, arkitektë dhe dizajnues me një karrierë shumë aktive, si në mësimdhënie ashtu edhe në projekte arkitektonike.

Universiteti i Evropës Juglindore tashmë e ka shpallur Konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik, ku në ciklin e parë ofron 20 drejtime studimore, në ciklin e dytë 27 drejtime studimore dhe 11 drejtime studimore në ciklin e tretë të studimeve. Sipas konkursit, në tre ciklet e studimit, në pesë fakultete (Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Fakulteti i Biznesit dhe Fakulteti Juridik), pritet të regjistrohen rreth 1300 studentë, të cilët do të studiojnë në Kampusin në Tetovë dhe në degën e UEJL-së në Shkup.