INTERVISTA/Salihu: Do ta kthejë shpresën dhe ardhmërinë në Medvegjë dhe Luginë

0

Biznesmeni dhe veprimtari nga Medvegja, Muharrem Salihu në intervistën për INA me rastin e ndërrimit të motmoteve flet për atë se çfarë po ndodhë në Luginë dhe sidomos në Medvegjë, rikthimin e shpresës dhe ardhmërisë në këto treva përmes projekteve konkrete, investimet konkrete në Medvegjë si dhe për angazhimet e tjera.
“Unë vij nga Medvegja, një nga tre komunat autoktone shqiptare të përfshira në territorin e Serbisë. E them me dhembje, që janë trojet më të varfëra dhe më të rrënuara shqiptare. Nderprerja e shpernguljeve sfida dhe motoja e jonë. Nëntori në Medvegjë solli edhe 30 vende të reja pune. Dhe investimet, po vazhdojnë ku viti 2019, do të hapen mbi 400 vende të reja pune. dhe ky është një shembull konkret se si duhet punuar. Medvegja për herë të parë po bëhet me muze dhe amfiteatër kulturor. Fal investimeve që unë bëra në Medvegjë. Poashtu , gjatë vitit 2019, do ta ndërtoj një Hotel në Banjë të Siarinës”, thotë ndër të tjera në intervistën për INA, Muharrem Salihu, biznesmeni i njohur me bizneset në Itali, por edhe ato të filluara në Medvegjë.

Intervistoi: Naser PAJAZITI/INA

Kah po shkon Lugina e Preshevës. Si e vlerësoni situatën aktuale?

Salihu: Edhe pse tashmë jemi në atmosferë festash, shqetësimet që ndjenë shqiptarët një pas një në Medvegjë e shuajnë gëzimin në këtë fund viti. Mungesa e meritoktacisë, diskriminimi, margjinalizimi janë ulur këmbëkryq dhe po e penalizojnë popullatën shqiptare në Medvegjë, vetëm për faktin se janë shqiptarë. Gjithçka shqiptare po krijon reaksion dhe po sulmohet pa rreshtur, me qëllimin e vetëm që të shuhet. Përtej propogandës, deklaratave, angazhimeve apo premtimeve, realiteti është i zymtë duke na shfaqur një tjetër pamje.
Edhe ato pak pozicione pune publike në të cilat janë punësuar shqiptarë, vijojnë të bëhen burim sulmi dhe padrejtësie. Në kuadër të riorganizimit dhe risistemimit të administratës në policinë shtetërore në Medvegjë, kemi zbatimin e dy standardeve. Personeli komandues serb, për punën që bën në dëm të shqiptarëve duke i bërë inaktive adresat e shqiptarëve dhe herë pas here duke hequr nga regjistrat civil shqiptarët që nuk banojnë në Medvegjë, shpërblehen përmes pozicioneve të larta në hierarkinë komanduese qoftë edhe përmes transferimit në komunën fqinje Lebane, e cila gjithashtu është shumë etnike, ku ka edhe banorë me kombësi shqiptare.
E kundërta ndodh me personelin komandues shqiptar, të cilët diskriminohen dhe keqtrajtohen profesionalisht. Flagrand është rasti i shefit të administratës së lartë për dhënien e dokumentave të identifikimit në Medvegjë, i cili edhe pse me përgatitje dhe formim arsimor më të lartë se kolegët e tij, jo vetëm që nuk u vlerësua për punën e bërë dhe të ngrihej në karrierë, përkundrazi, e ulën në hierarkinë komanduese në postin më të ulët dhe njëkohësisht e kthyen nën uniformë. Në vendin e tij si “dhuratë” sollën një person nga komuna fqinje Lebane, të cilin e ngritën në karrierë, në kurriz të punës dhe të të drejtës së shqiptarëve. Përveç kësaj ngjarje, në Medvegjë ditëve të fundit Kuvendi Bashkiak me sugjerim të Këshillit Komunal miratoi vendimin për emërtimet e reja të rrugëve në këtë komunë dhe në fshatrat përrreth. Në shkelje të ligjit dhe duke mos respektuar kërkesat e reformës për integrim, që detyron bashkëpunimin mes përfaqësuesve të etnive dhe pushtetit lokal, Këshilli Bashkiak miratoi emërtimet e reja të rrugëve në Medvegjë, por pa vendosur asnjë emërtim shqiptar. Ndërkohë që sugjerimet e këshilltarëve shqiptarë nuk u pranuan dhe e drejta e tyre ligjore u shkel brutalisht. Është e dhimbshme të shohësh një komunë me 36% banorë autoktonë shqiptarë, që të mos respektohen dhe t’u shuajnë një nga elementët e identitetit të tyre shqiptar, emërtimet e vendbanimeve në shqip. Ndaj Medvegja vazhdon të mbetet jetime.
Ajo që na godet më shumë është edhe heshtja paralizuese që vjen nga faktori politik dhe përfaqësuesit ligjor të shqiptarëve. Partitë politike PVD dhe PD nga Presheva dhe Bujanoci, të cilat në Medvegjë janë prezent përmes degëve të tyre nuk i kanë komentuar këto ngjarje të rënda për bashkësinë shqiptare në Medvegjë. Nuk ka patur reagime as nga Këshilli Kombëtare Shqiptar, në Serbi me seli në Bujanoc, i cili porsa është krijuar pas zgjedhjeve të nëntorit. Kjo situatë e rëndon edhe më shumë gjendjen, ndaj të qenit shqiptar, po përcakton edhe fatin e banorëve të Medvegjës.

Cila është formula që mund të rikthejë shpresën dhe zhvillimin në këtë rajon, sidomos në Medvegjë, nga ku një numër i madh i banorëve janë shpërngulur?

Salihu: Unë besoj se kjo pyetje na shqetëson të gjithëve dhe sot ajo vijon të na tingëllojë si një kambanë që nuk ndal. Ngjarjet e pas viteve ’90-të të ndodhura në Gadishullin e Ballkanit vendosën një marrëdhënie të re mes shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre dhe shqitarëve në diasporë, të cilët edhe u shumfishuan në numër. Ndërkohë që proceset intergruese të Ballkanit Perëndimor praktikisht duhet të lehtësonin komunikimin mes shqiptarëve, veçanërisht në aspektin ekonomik, ne jemi ende larg një bashkëpunimi të tillë. Zhvillimet ekonomike, qoftë edhe si pjesë e proceseve integruese për në Bashkimin Evropian, po kryehen të shkëpura. Sot, miliona shqiptarë jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në shumë shtete në pesë kontinentet dhe shumë prej tyre na bëjnë të ndihemi krenarë me sukseset e arritura, përmes shfaqjes së vlerave tona më të mira. Ne tashmë jemi të vetëdijshëm se bashkërendimi i veprimeve tona dhe unifikimi i forcave për zhvillimin e një ekonomie të orientuar drejtë, është themelore për ecjen përpara në tërësi të kombit tonë. Për këtë, lind e nevojshme që t’i kanalizojmë ekonomitë e shpërndara në një treg ekonomik shqiptar brenda tregut rajonal të Ballkanit. Kjo do të na ndihmojë që të forcohemi ekonomikisht, politikisht dhe roli gjeo-strategjik i shqiptarëve të rritet si faktor kyç për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Unë vij nga Medvegja, një nga tre komunat autoktone shqiptare të përfshira në territorin e Serbisë. E them me dhembje, që janë trojet më të varfëra dhe më të rrënuara shqiptare. Edhe pse janë troje të pasura nën dhe mbi tokë, si dhe me burime njerëzore në moshë shumë të re, zhvillimi ekonomik është në nivelet më të ulta në rajonin e Ballkanit dhe planet për rimëkëmbje janë të largëta.
Tashmë prej muajsh është në shqyrtim projekti i autostratës Nish-Prishtinë-Durrës, që është parashikuar të kalojë për në Merdarë. Ky projekt synon të sjelli një rritje të bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik si për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Shmangia e Medvegjës nga ky projekt me vlera të mëdha ekonomike dhe infrastrukturore është baraz me rrënimin përfundimtar të këtyre trojeve. Në kushtet kur sot Medvegja, Bujanoci dhe Presheva po luftojnë për mbijetesë, kalimi i autostradës nëpër rajonin e Medvegjës mbetet e vetmja mundësi dhe shpresë për të garantuar mbijetesën e bashkëkombasve tanë në këtë hapësirë autoktone shqiptare.
Në një të nesërme jo të largët, kur kombi ynë do të integrohet i tëri në Bashkimin Evropian dhe kur kufijtë do të humbasin rëndësinë që kanë, prapambetja ekonomike i tre komunave (Medvegjë, Bujanoc dhe Preshëvë) do të përbënte një pengesë reale.

A do mbeteni edhe më tej përkrah këtij rajoni, që sic është konstatuar dikush e sheh vetëm për të përfituar, duke luajtur në kartën e nacionalizmit të rrejshëm, ndërsa në anën tjetër pëfitojnë të mirat që i ofron pushteti?

Salihu: Përtej dashurisë për Medvegjën, si vendlindjen time dhe prirjes për zhvillim biznesi, arsyet e këtij investimi i gjejmë edhe te pamundesia njerëzore për të qëndruar indiferent ndaj një realiteti të dhimbshëm dhe një gjendje ekonomike tejet të rënduar të shqiptarëve në Medvegjë dhe jo vetëm.
Një politikë e mirë ndërton, hap vende të reja pune dhe funksionon si tregues për forcimin dhe shëndoshjen e ekonomisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të gjenerojë të ardhura më të larta dhe do të rriti mireqenien e qytetarëve. Por, për këtë gjë në Serbinë Jugore nuk mund të krenohet askush, veçanërisht ne shqiptarët në Medvegjë. Kjo ndodh sepse në trojet autoktone shqiptare në Serbinë Jugore zbatohen politika “zhvillimore” të personalizuara, të cilat sjellin prapambetje sociale, politike dhe ekonomike për ne shqiptarët, si dhe shkelje të të drejtave tona, duke arritur majën me fshirjen e adresave të popullatës autoktone shqiptare dhe duke manipuluar gjendjen tonë demografike.

Sa është e mundur të ndahen çështjet e biznesit nga ato politike e diplomatike? Cila është përvoja juaj në kontakte me burokracinë lokale dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit ?

Salihu: Me keqardhje konstatohet se gjithçka te ne është e politizuar dhe nuk mundemi t’i ikim kësaj teme. Për të korigjuar situatën e përshkruar më lart dhe për të përmirësuar gjendjen reale të shqiptarëve, unë do të rekomandoja që të fillohej me stabilizimin e gjendjes në shëndetësi, arsim, ekonomi, etj., gjë e cila do të sillte ndërprerjen e hemoragjisë së shpërnguljes së shqiptarëve nga Medvegja dhe Lugina e Preshevës. Për të ulur dhe shmangur zbrazjen e komunave shqiptare është jetike për të tashmen dhe të ardhmen e ne shqiptarëve që jetojmë në trojet tona në Serbi, që të dy shtetet shqiptare të përfshijnë në buxhetet e tyre përkatëse realizimin e investimeve dhe projekteve konkrete në tre komunat tona dhe në kuadër të reprocitetit të zhvillojnë politika ndihmuese dhe zhvillimore, njësoj siç zhvillon qeveria e Serbisë në komunat në Kosovë, ku popullsia serbe është në mazhorancë

Në planin e investimeve, a mund të pritet edhe ndonjë investim i ri, duke pasur parasysh projektet e juaja, por edhe lidhjet e juaja me komunitetin e fuqishëm të biznesit?

Salihu: Nderprerja e shpernguljeve sfida dhe motoja e jonë. Nëntori në Medvegjë solli edhe 30 vende të reja pune. Dhe investimet, po vazhdojnë ku viti 2019, do të hapen mbi 400 vende të reja pune. dhe ky është një shembull konkret se si duhet punuar. Medvegja për herë të parë po bëhet me muze dhe amfiteatër kulturor. Fal investimeve që unë bëra në Medvegjë. Poashtu , gjatë vitit 2019, do ta ndërtoj një Hotel në Banjë të Siarinës.

A mendoni se Luginës i duhet një “pranverë” ndryshimi apo një rikonfigurim politik që krijon siguri, punë dhe ardhmëri dhe jo zhgënjim, trishtim dhe ikje?

Salihu: Nuk përjashtohen as ndryshimet duke qenë se nga kjo situatë do të nxirren përgjegjësit. Duhet të kërkojm e punojm shumë për të dalur nga errësira që na ka kapluar në mos zhvillimin sidomos në Medvegjë, e hiq ma mirë nuk po kalon as Presheva e Bujanoci.

Çka planifikoni apo cilët janë synimet e juaja gjatë 2019, duke qenë se jeni një veprimtar jo vetëm i sferës së biznesit por tashmë edhe një veprimtar për ndryshim në sfera tjera?

Salihu: Të investosh në Ballkan, specifikisht në Medvegjë, si biznesmen e mendoj dy herë, si qytetar i Medvegjës jo, përkundrazi punoj fort ta realizoj. Ka kaluar vetëm një periudhë e shkurtër kohore nga luftrat e fundit të ndodhura në Ballkan dhe përtej përpjekjeve të qeverive të këtij rajoni, mbetet shumë punë për t’u bërë për të përmirësuar klimën e biznesit. Problemet që ju përmendët janë ende plagë për ekonomitë e shteteve të rajonit, ndaj Ballkanit i duhet ende kohë e punë e pandalur për t’u integruar në ekonominë evropiane e më tej atë globale.
Përveç të qenurit investitor dhe biznesmen, unë jam edhe qytetar shqiptar i Medvegjës me të drejta të plota që m’i njeh ligji. Të investosh në vendlindje, për ne mërgimtarët nuk është e lehtë, pasi politikat qendrore të qeverisë së Serbisë nuk i favorizojnë investimet në trojet shqiptare në Serbinë Jugore. Aktualisht unë jam në proces përmbylljeje të një investimi disa miliona Euro në Medvegjë dhe fabrika e re e prodhimit të çorapeve në fazën e parë do të hapi 400 vende të reja pune. Të punësuarit do të jenë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga etnitë e tjera që jetojnë në Medvegjë, gjë e cila tregon më së miri karakteristikën shekullore të shqiptarëve, bashkëjetesën ndërfetare dhe mes etnive të ndryshme. Në këtë mënyrë, ne ofrojmë shembullin më të mirë të të punuarit dhe jetuarit së bashku dhe pa dallime.
Ndërkohë që ky investim është pritur shumë mirë dhe me mjaft interes nga banorët e Medvegjës, gjë e cila shihet edhe nga numri i lartë i aplikimeve për të fituar një vend pune në fabrikë, e kundërta ndodh me autoritetet vendore serbe, të cilat vazhdojnë të bëjnë indiferentin publik, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër, po këta drejtues lokalë janë të interesuar për të punësuar ndonjë nga të afërmit e tyre në fabrikë. Ne i kemi mirëpritur aplikimet e qytetarëve jo shqiptarë të Medvegjës, sepse nuk kemi paragjykime etnie, feje apo krahine. Përkundrazi, qëllimi i kompanisë Medinvest që unë drejtoj është jo vetëm ekonomik, por edhe social, sepse përmes ruajtjes së harmonisë ndëretnike, ne po punojmë për forcimin e bashkëjetesës mes entiteteve si një vlerë e shtuar për shoqeritë demokratike dhe nuk veprojmë në asnjë rast si diskriminues ndaj etnive të ndryshme nga ne. (INA)