INTERVISTA/Selami: Kujt po i pengon një regjistrim real dhe i ligjshëm?

Zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës në Maqedoninë e Veriut, Ilmi Selami në një intervistë për INA flet për regjistrimin e popullsisë, procesin e regjistrimit të diasporës si dhe për pritjet nga ky operacion për numërimin e popullsisë. Ai thotë se pas thuajse 20 viteve është e domosdoshme që të dihet se sa është numri i popullsisë. Selami po ashtu thotë se në këtë periudhë po zhvillohet regjistrimi i diasporës, dhe se duhet një pjesëmarrje masovike.

 INA: Si po rrjedh operacioni i regjistrimit dhe pas 19 viteve a do të kemi një operacion statistikor të suksesshëm?

Po bëhen gati plotë 20 vite që kur Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka organizuar dhe zbatuar proces të suksesshëm të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave. Po them proces të suksesshëm nga se në vitin 2011 pati një tentativë për të zbatuar një proces të regjistrimit por, siç e dini, i njëjti u ndërpre dhe mbeti pa u realizuar. Ishte koha e fundit që në janar të këtij viti të sillet Ligji për regjistrim dhe i njëjti të zbatohet në afatet e parapara. Aktualisht, që para dhjetë ditësh, duke filluar nga 1 Marsi, në rrjedhë e sipër është procesi i regjistrimit të mërgatës apo të diasporës. Ky proces do të zhvillohet deri më 21 Prill dhe tani për tani është duke ecur pa ndonjë problem a pengesë të theksuar.

INA: A jeni të kënaqur me pritjet e regjistrimit nga diaspora? A kemi sensibilizim të mjaftueshëm apo po mungon. Edhe njëherë pse është i rëndësishëm regjistrimi i tyre dhe për ti bindur ata se duhet me shumë seriozitet të përfshihen në këtë operacion?

Interesimi i diasporës sonë për t’u vetëregjistruar në aplikacionin që gjendet në faqen tone të internetit, ditën e pare dhe të dytë ishte solid dhe arriti rreth 10 mijë të regjistruar. Kjo na gëzoi dhe na dha një shpresë se do të mund t’a regjistrojmë pjesën dërmuese të diasporës, mundësi dhe e drejtë kjo që jepet për herë të parë. Mëpastaj gjatë ditëve në vijim numri ra dukshëm për të konstatuar vetm rreth dy mijë regjistrime. Dëshiroj të ritheksoj se mundësia për t’u regjistruar diaspora është dhënë për herë të parë në historikun e regjistrimeve në Maqedoninë e Veriut dhe kjo e arritur politike është si rezultat i impenjimit të politikës shqiptare në vend. Andaj vërtetë do të ishte mëkat dhe dobësi që një e drejtë e fituar me aq mund e që jep një mundësi të këtillë për vetëregjistrim, të mos shfrytëzohet në mënyrë masovike. Sinqerisht e them se ndjehem fort i mërzitur nga jehona e ulët e vetëregjistrimit nga ana e bashkëatdhetarëve tanë. Por nuk e humbas dot optimizmin sepse diaspora jonë gjithmonë ka ditur të na befasojë për të mirë, andaj shpresoj dhe uroj që gjatë ditëve që kanë mbetur deri më 21 Prill, numri i të regjistruarve dukshëm të rritet. Pa dyshim se kjo do të na gëzonte të gjithëve. Apeloj që mos ta lëshojmë me aq lehtësi këtë mundësi të shkëlqyer sepse vërtetë janë krijuar kushte të volitshme për një regjistrim real nga i cili përfundimisht do të mësojmë sa jemi në të vërtetë mbrenda dhe jashtë shtetit. Dashtë Zoti që kjo thirrje e imja të arijë deri te çdo bashkëatdhetar dhe bashkëqytetar i yni. Vetëregjistrimi nuk kërkon shumë mund e as shumë kohë. Vërtetë ia vlen të ndash një gjysëm ore për të regjistruar familjen tënde. Pra, e shihni sa pak mund duhet për të dhënë aq shumë kontribut dhe për të fituar aq shumë benefite. Mos të lejojmë aq lehtë të shkëputemi e të largohemi nga burimi ynë duke u humbur në detëra të huaj. Mos të harojmë se burimi i jonë mbushë vetë detin tonë.

INA: Si i komentoni zërat e opozitës maqedonase, që  tani janë për shtyrjen e regjistrimit për në shtator, por e cila mblodhi nënshkrime dhe po ashtu ka shprehur edhe akuza për implikime politike?

Nën vellon e shtyrjes së regjistrimit në fakt po ndodhin dy procese. Njëri që kërkon anulimin apo bojkotimin e regjistrimit dhe tjetri proces që mëton shtyrjen e tij për shkak të pandemisë. Procesin e pare po e zhvillojnë dhe kultivojnë partitë parlamentare opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE dhe E MAJTA. Partia më e madhe opozitare po mbledh nënshkrime për anulimin e regjistrimit ndërsa E MAJTA në mënyrë të hapur i thërret qytetarët për bojkotim të regjistrimit. Ky proces nga këto dy parti është puro politik dhe aspak nuk ka të bëjë me aspektet reale të regjistrimit.

Procesin e dytë po e zhvillojnë Kisha ortodokse maqedonase dhe Kryetari i Shtetit, Z. Pendarovski. Këto dy instanca në themel të tyre nuk janë kundër regjistrimit por për arsye të ngërçit politik dhe për arsye të pandemisë aktuale, mendojnë se duhet të shtyhet për një afat disa mujorë për të dhënë mundësi për tejkalimin e pengesave politiko-pandemike në vend. Personalisht mendoj se të gjithë këto aktorë që i përmenda në të dyja proceset, pra si VMRO-DPMNE dhe E DJATHTA, ashtu edhe KOM-i dhe Kryetari i shtetit, e kanë shumë gabim. Mbase jo vetëm gabim por edhe me ndonjë prapavijë të pakuptueshme. Sikur të gjithëve u pengon ky regjistrim, përveç shqiptarëve. Dhe pashmangshëm vijmë në pyetjen se vallë kujt i pengon një regjistrim real dhe i ligjshëm. Sigurisht se jo shqiptarëve dhe atyre që ia duan të ardhmen e ndritur këtij vendi.

INA: Si është e rregulluar çështja e përcaktimit të qytetarëve në bazë etnike. Ata vetë do ta shkruajnë në formular, apo forma tjetër duke e rrethuar. Po së fundi debatet për komunitetin etnik maqedonas musliman, duke pasur parasysh faktin se ky komunitet njihet edhe si torbesh. Si është rregulluar kjo, ku do të jenë të përfshirë ata?

Qytetarët do të pyeten nga regjistruesi se çfarë përkatësie etnike kanë. Atë përkatësi që do e shprehë në përgjigjen e tij, të njëjtën ai do t’a shkruajë në grafën gjegjëse në aplikacion. Kështu do të ndodhë edhe në pyetjet që kanë të bëjnë me përkatësinë fetare, për gjuhën amtare si dhe për gjuhën që e flasin familja në shtëpi. Në listen e përkatësive etnike gjenden një mori etnishë dhe kjo është marë si bazë nga regjistrimi i fundit që është mbajtur në Maqedoninë e Veriut. Aty janë të gjitha etnitë për të cilat është shprehur ndonjë qytetar se i takon. Pra, përveç shqiptarë, maqedonas, turq, serb, romë, vllehë, boshnjakë kemi edhe shumë etni tjera si bullgarë, torbeshë, goranë, maqedonas-muslimanë, rumunë dhe shum përkatësi të tjera. Me një fjalë, çdo qytetar do të shkruhet ashtu si që dëshiron ai vetë. Ne as nuk duam e as nuk mundemi që të ndikojmë në këto të drejta dhe liri ë qytetarëve. Sigurisht se gjatë këtij regjistrimi, përveç etnive që i kemi në listë, do të dalin edhe përkatësi etnike tjera që nuk i kemi patur deri tani në listen paraprake dhe natyrisht se edhe ato do të regjistrohen. Ato lista me etni, si të tilla mandej do të futen në bazën regjistruese që do të shërbejë për regjistrimin e ardhshëm pas 10 viteve.

INA: Por në rast se do të kemi qytetarë të përcaktur bullgar, si do të jetë e mundësuar kjo e drejtë e tyre?

Ashtu siç e ceka edhe më parë, qytetarët të cilët do të shprehen se i takojnë përkatësisë etnike bullgare, ato të tillë edhe do të regjistrohen. Në rezultatet përfundimtare ne do të mësojmë saktë se sa kemi popullatë në bazë të çdo etnie veç e veç, përfshirë këtu edhe bullgarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

INA: Duke qenë se jemi në kushte pandemie, a mendoni se kjo mund të jetë një pengesë që mund të ndërroj kahjen e këtij operacioni. A mendoni se njerëzit do të frikësohen për të pranuar regjistrues në rrethanat me të cilat po ballafaqohemi. Pra cka është ndërmarrë në këtë drejtim, sidomos për aktivitetin e rëndësishëm në terren që nis më 1 prill?

Me kërkesën tonë, Komisioni për sëmundje infektive përpiloi protokoll të veçantë për atë se si duhet punuar dhe vepruar gjatë procesit të regjistrimit. Ky protokol u pranua dhe u aprovua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtij protokoli ne do t’i përmbahemi në mënyrë strikte dhe qytetarët të jenë të sigurtë se nuk do u dërgojmë virusin në shtëpitë e tyre por përkundrazi, do u dërgojmë lajmin e mirë që më në fund, pas plotë 20 viteve, bashkë me ta po e realizojmë regjistrimin aq të munguar.

INA: Si duhet të jenë të përgatitur qytetarët që regjistrohen në ditët kur fillon operacioni në terren. Çfarë duhet plotësuar për familjarët e tyre?

Asgjë të vështirë. Mbase edhe dokumente nuk ju duhen. Ata vetëm duhet ta dinë numrin amë dhe informatat tjera që do t’i pyes regjistruesi nga pyetësori. Informata këto që ai sigurisht që i di për veten e tij dhe që kanë të bëjnë me të. Nëse dikush dëshiron t’i dijë në detaje këto pyetje lirisht le të futet në faqen tonë të internetit dhe le ta hapë Metodologjinë për regjistrim. Në faqet krejtësisht në fund, do ta gjeni pyetësorin në tërësi.

INA: Duke qenë se aktualisht kemi debatin për qytetarët pa nënshtetësi. Çfarë do të ndodhë me ta?

Te kjo pyetje kemi të bëjmë me dy aspekte. Aspekti i parë është se vallë personat pa nënshtetësi a do të regjistrohen në këtë regjistrim. Përgjigja është PO. Personat që nuk kanë nënshtetësi dhe që jetojnë në Maqedoninë e Veriut do të mund të regjistrohen dhe do të evidentohen si persona pa nënshtetësi. Ndërsa personat që janë në migrim apo diasporë, u duhet patjetër të posedojnë nënshtetësinë si kusht bazik për t’u regjistruar.

Sa i takon aspektit të dytë që tani është si proces aktual politik në vend me propozim ligjin për nënshtetësinë, në raport me procesin e regjistrimit, duhet të sqarojmë për opinionin se këto janë dy procese që nuk mpuqen aspak njëri me tjetrin. Duhet qartë e preras ta bëjmë dallimin mes regjistrimit si proces dhe të drejtës për nënshtetësi. Këtu do ta kisha shtuar edhe të drejtën për posedim të pasaportës dhe dokumenteve tjera personale si dhe të drejtës për të votuar apo për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur. Regjistrimi assesi nuk ka të bëjë me këto të drejta. Regjistrimi nuk ndikon që këto të drejta as të meren e as të fitohen. Pra, nëse ju regjistroheni, ju vetëm e kryeni një obligim apo një të drejtë tuajën që u takon me ligj. Përveç obligim ligjor, regjistrimi po aq është edhe obligim qytetar e kombëtar. Andaj, nëse ju regjistroheni, kjo nuk ndikon në asnjë mënyrë në të drejtat tuaja tjera që i keni me ligj dhe kushtetutë. Ose më saktë, regjistrimi as nuk mund ti mer të drejtat tuaja si më lartë e as nuk mund ti japë ato sepse ato të drejta juve ju takojnë në baza tjera e jo në bazë të regjistrimit. Ta themi edhe më thjeshtë: Nëse keni nënshtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse keni pasaportë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse keni të drejtë të votës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ju nuk i humbni ato nëse regjistroheni dhe anasjelltas, nëse nuk i keni këto të drejta, ju nuk i fitoni ato nëse regjistroheni. Ju duhet të përcillni procedura të tjera administrative për ti fituar ato të drejta në institucione dhe organe tjera gjegjëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

INA: Dhe në fund, me përmbylljen e këtij operacioni, çka nëse dikush do të kontestoj rezultatin, duke ditur  se do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur?

Puna e Entit shtetëror për statistikë është ta bëjë regjistrimin, ti prezantojë rezultatet reale nga regjistrimi ashtu siç janë. U mbetet të tjerëve t’i lexojnë, t’i interpretojnë dhe t’i përdorin ashtu si duan. Shpresojmë se përdoruesit e rezultateve të regjistrimit do t’i përdorin ata për punë të mira për planifikim, zhvillim dhe prosperitet e jo vetëm për politikë shterpe që nuk i sjell asnjë dobi popullit dhe shtetit në tërësi.(INA)