INTERVISTA/Taravari: Do ta mundim të keqen, ja misioni i ASH-së

0

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari në intervistën e fundvitit për INA flet për betejën politike të partisë së tyre, ndryshimet kushtetuese, koalicionimet e mundshme, zgjedhjet presidenciale dhe tema tjera aktuale. Ai drejton akuza ndaj BDI-së, duke theksuar se kjo parti është fajtore për ngecjen e procesit të realizimit të të drejtave të shqiptarëve, por nuk mungojnë kritikat edhe ndaj LSDM. “BDI-ja është xhaketa e vjetër e pushtetit e cila ka një numër anëtarësh të lartë të akuzuar pikërisht nga “partnerja” që ka në krah! Këtë e them sepse dyshoj për mos të të thënë se jam i bindur që BDI-ja është një atavizëm i lodhur politik.”, theksoi Taravari.

Shumë qëndrime të ASH-së kanë qenë të njohura publikisht, por ndoshta ka pasur edhe prapaskena që pak a shumë kanë qenë të panjohura për opinionin. ASH nga një parti në pushtet, doli në opozitë. A mund të na thoni se cila është arsyeja e fortë dhe porosia që ia dhatë Zaevit ditën e fundit në Qeveri?

Arben Taravari: Aleanca për Shqiptarët është një parti transparente e cila asnjëherë nuk i ka besuar apo më tepër respektuar politikat e dyerve të mbyllura. Një parti është një forcë që del nga populli dhe ka devijim të pajustifikueshëm nëse del jashtë interesave të popullit apo mban të fshehta ndaj tij. Në këtë kuadër dalja jonë nga Qeveria shënoi rastin e parë kur një parti del me vullnetin e saj nga pushteti duke dhënë dorëheqjen absolute. Duhet parë më me kujdes ky rast, ne nuk na hoqi njeri, nuk na përzunë apo përjashtuan, por u larguam! Ashtu si e deklaruam në atë periudhë ashtu vazhdojmë dhe sot të themi se bashkëpunimi me partitë në pushtet u bë i pamundur duke parë se sërish u kthyem në metodat e vjetra, me emra të njëjtë që zaptuan bastionet e tyre, duke vendosur me një të rënë të lapsit për fate njerëzish. Kursi i politikës mbeti njësoj pavarsisht që ne luftuam për ndryshime. Derisa këto ndryshime mbetën vetëm tentativa atëherë ne u larguam pasi nuk mund të ishim palë e vegjetimit politik që ka sjellë këto pasoja të rënda që duken lehtësisht në aeroporte e stacione autobuzash të mbushur plot me njerëz që ikin njëherë e përgjithmonë nga ky shtet!

Përse ndodhi një ftohje e shpejt. A ishte çështje numrash apo pas kësaj fshihet diçka tjetër, që ASH të perceptohet sikur diçka e rrezikshme apo një subjekt i “papërshtatshëm politik”?

Arben Taravari: Partia jonë është grupimi më i fortë ndër shqiptarë dhe nëse politika do të ishte një garë, sigurisht që nuk na duan parti të tjera të cilat nuk ndajnë të njëjtat qëllime me ne. Shumica e partive synojnë karrigen e pushtetit, kurse ne synojmë mirëqënien e popullit. Ftohja e menjëhershme apo graduale qoftë erdhi si pasojë e mosbindjes ndaj detyrës së shërbëtorit të pushtetarëve. Ne ishim dhe jemi shërbëtorë të popullit, të askujt tjetër, ngrohtë apo ftohtë t’ju vijë, kjo është e vërteta e Aleancës për Shqiptarët.

Votat tuaja janë vendimtare për ndryshimet kushtetuese. Deri tani maxhoranca a ka dëgjuar apo kërkuar konsulta, apo ka një sjellje nonshallante me bindjen se patjetër do të votoni më 15 janar?

Arben Taravari: E para duhet kuptuar që mazhoranca nuk është një parti solide që synon ndërtimin e një shteti të ri. Mazhoranca përbëhet nga dy parti të cilat kurrë nuk kanë pasur dakordësi me njëra-tjetrën. BDI-ja është xhaketa e vjetër e pushtetit e cila ka një numër anëtarësh të lartë të akuzuar pikërisht nga “partnerja” që ka në krah! Këtë e them sepse dyshoj për mos të të thënë se jam i bindur që BDI-ja është një atavizëm i lodhur politik. E theksova këtë duet qeveritar për të shpjeguar natyrën e tyre të funksionimit. Duke konsideruar që bota fillon dhe mbaron me ta, rrezikojnë të humbasin botën reale. Në datën 15 Janar ne do të zgjedhim më të mirën për Maqedoninë që jo domosdoshmërisht është ajo që mendon mazhoranca.

Nëse nuk kalojnë propozimet e juaja, çka më tutje me votat tuaja?

Arben Taravari: Votat tona janë fuqi e dhënë nga populli ndaj në çdo moment do të shkojnë vetëm në funksion të tij.

Jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale. ASH si do të veprojë. Me kandidat të saj apo do të synohet një unifikim më i madh i partive shqiptare?

Arben Taravari: Zgjedhja e Presidentit të vendit nuk është një ekuacion politik, një mënyrë për të bërë pazare politike. Është zgjedhja e një njeriu të përgjegjshëm që nuk ka fare rëndësi partia që e propozon nëse ai/ajo nuk është një person i përshtatshëm për të mbajtur përgjegjësinë e madhe që një president ka. Nëse do pyetesha personalisht besoj që si çdo sektor tjetër në Maqedoni që ka defiçencë femrash, shikoj plot zonja të nderuara të cilat mund të kryejnë me sukses detyrën e Presidentit të vendit. Gjithsesi ne do të poziciononemi qartë në momentin e Zgjedhjeve Presidenciale duke theksuar që nuk do të mbajmë lojën e askujt, mjaft me politikën e lojrave!

A jeni ju për një kandidat koncensual, një tezë që e promovon BDI apo për një kandidat shqiptar për të matur forcat politike?

Arben Taravari: Si e theksova më lart unë jam për çdo kandidat që do të përmbush nevojat që ka posti i Presidentes/it të Republikës. Nëse si rrallë herë partitë dakordohen mbi kandidaten/kandidatin pasi vlerat përfaqësuese të saj/tij plotësojnë kushtet që kërkon figura e një Drejtuesi vendi padyshim që do të jemi aty për ta mbështetur, por nëse ne kemi një propozim më të mirë natyrisht që do t’u ofrohemi popullit me propozimin tonë.

Po bashkëpunimi me partitë e tjera shqiptare. Ka nisma se duhet bashkuar me Lëvizjen BESA. Por nga partia e juaj janë të rezervuar duke pasur parasysh një dështim me Vesel Memedin e RDK-së. A ka shteg për të lëvizur në drejtim të unifikimit, përtej ideales?

Arben Taravari: Sigurisht që po! Politika më e mirë është ajo e një Lëvizje ku përfshihen sa më shumë parti, organizata, shoqata, të cilat bashkojnë forcat për të përmisuar eksperiencën e tyre. Bashkëpunimin me z.Memedi nuk do ta quaja dështim më shumë se sa një eksperiencë politike. Janë të takueshme në politikë situata jo të qëndrueshme midis bashkëpunëtorësh, sidomos kur bëhet fjalë për shtete të varfëra si ky yni. Gjithsesi ne kemi qënë dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim dhe bashkëpunëtor që ndan të njëjtin Vizion me ne.

Analizat dhe kalkulimet e qarta janë se pa një unifikim vështirë është të dilet si partia e parë tek blloku politik shqiptar. A pajtoheni me këtë dhe çka nëse nuk ka një bashkëveprim në zgjedhjet e ardhshme?

Arben Taravari: Nuk e di se sa është e këshillueshme t’i besosh analizave dhe kalkulimeve pasi Maqedonia nuk të jep kurrë luksin e parashikimeve! Gjithsesi unë besoj tek populli dhe tek forca e tij që qëndron në anën e Aleancës, jam shumë konfident se populli dhe ne do ia dalim sido që të jetë!

Çfarë u bë me kërkesat për 20 % dhe çështjen e përfshirjes së emërtimit të gjuhës dhe përkatësisë etnike si shqiptar dhe jo me përqindje. Këto si duket janë përjashtuar?

Arben Taravari: Kjo është një nga çalimet kryesore të Misionit “Ndërrojmë Emrin Që Të Shkojmë Në Evropë”! Duke mohuar të drejta themelore të një populli që jeton si autokton në Maqedoni kanë shkuar vite dritë larg nga Evropa dhe Parimet e saj! Nëse vazhdojnë kështu punët do ia mësojë Evropa!

Çka nëse nuk përfshihen këto pika apo kërkesa të juaja. Cilat janë alternativat apo të themi cilat janë pikat thelbësore dhe çështjet e agjendës politike dhe kërkesave të ASH-së gjatë 2019?

Arben Taravari: Ne jemi parti evropiane! Besojmë në një botë të madhe dhe nuk e shohim të kufizuar brenda kufirit të shtetit tonë. Nuk do ndalojmë të përpiqemi që popujt e Maqedonisë të fillojnë të duan shtetin e tyre pasi shteti të fillojë t’i respektojë e t’i dojë ata! Për fat të mirë dita-ditës partia jonë po etiketohet si Partia e Shpresës nga populli, ndaj agjenda jonë për 2019-ën është të jemi me Popullin në betejën tonë për të pajtuar shtetin me qytetarët të cilët ikin ditën dhe natën! Ky fenomen alarmant duhet të ndalojë, qeveria që është në detyrë e nxiti në nivele rekord ikjen, tashmë ka vetëm një Reformë Urgjente për Aleancën dhe është ajo e Qeverisë. Qeveria duhet Reformuar! (INA)