Ndeshja e fundit zyrtare e sezonit përkon edhe me një nga më të rëndësishmet në të gjithë historinë e Interit. Në fakt, zikaltërit do të përballen me Manchester City sonte në mbrëmje, në aktin e fundit të Ligës së Kampionëve që do të vendosë se cila skuadër do të jetë në gjendje të mbajë titullin e kampionit të Evropës për 12 muajt e ardhshëm.
Pra, aksionet janë shumë të larta dhe padyshim që e di shumë mirë edhe Simone Inzaghi, i cili në prag të ndeshjes së “Ataturk” në Stamboll, prezantoi në mikrofonat e “Sky” finalen e Champions League 2022-2023:
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të jesh këtu, po e shijojmë shumë. Ne e dimë se Manchester City është skuadra më e fortë në botë, por do të luajmë 11 kundër 11, e merituam të ishim këtu për të luajtur shanset tona. Do të ketë momente të vështira, por do të duhet të qëndrojmë në lojë”.
Trajneri zikaltër foli më pas për ndeshjen ndaj Manchester City në konferencë për shtyp: “Ne e dimë se çfarë lloj ndeshjeje do të duhet të luajmë. E dimë që Manchester City ka dëshmuar se është skuadra më e fortë në botë, por e dimë dhe rrugën tonë. Jemi krenarë që kemi arritur deri këtu dhe do të bëjmë gjithçka për të luajtur një lojë me përqendrim të jashtëzakonshëm. Duhet të kufizojmë gabimet, sepse kundërshtari është shumë i fortë”.
Pak e kishin parashikuar një Inter në finalen e Champions League: “Të shtunën do të jetë ndeshja e 57-të sezonale për ne, i yni ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë. 56 ndeshjet e para na lejuan të arrijmë në këtë finale. Kemi kaluar momente të vështira, që na kanë lejuar të rritemi.
Kemi kaluar humbje të merituara dhe të pamerituara, kemi humbur lojtarë të rëndësishëm për një kohë të gjatë, por kemi qenë të mirë në bashkim, duke folur pak dhe bërë një përpjekje të çmendur. Në periudhën e fundit kemi pasur pak kohë për të menduar për atë që kemi bërë, vetëm tani po shijojmë momentin, por nuk jemi relaksuar. Jemi vërtet shumë të koncentruar”.
Një nga çelësat e lojës mund të jetë mesfusha: “Mesfusha do të jetë shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha në finale vlejnë këmbët, koka dhe zemra. Këmbët për të bërë një vrap shtesë, koka për të qëndruar të kthjellët në çdo fazë të ndeshjes dhe zemra për të gjetur ato energji që as nuk mendoni se i keni”.
Finalja e Champions League është ndeshja në të cilën mund të shkruhet historia: “Patjeter që po. E dimë që kemi mundësinë të shkruajmë historinë e klubit tonë. E dimë se do të jetë e vështirë, por do të përpiqemi. Fjala që na solli deri këtu ishte ‘së bashku’ dhe së bashku do të tentojmë ta fitojmë finalen”.
Finalja e Champions League nuk është një ndeshje si të tjerat: “Tashmë po afrohet dhe më shumë rritet tensioni, por shoh qetësi në skuadrën time. Jemi mjaft të qetë. E dimë se çfarë përfaqëson kjo finale për ne, për klubin dhe tifozët që nuk na kanë lënë kurrë vetëm. Unë jam me fat që të drejtoj një grup të përbërë nga burra të vërtetë, nuk do t’i ndërroja me askënd.
Ky grup lojtarësh më ka dhënë gëzim për 20 muaj. Të gjithë po stërviten në mënyrën më të mirë të mundshme, ende kemi disa dyshime në lidhje me disa lojtarë, por Mkhitaryan dhe Correa duket se po rikuperohen”.
Pikërisht ai lidhur me Mkhitaryan është një nga dyshimet e mëdha të formacionit: “Të enjten bëri stërvitjen e tij të parë të plotë prej më shumë se 20 ditësh. Do të shohim nëse do ta aktivizojmë nga fillimi apo gjatë lojës”.
Manchester City ka një nga pikat e forta në sulm: “Ne e dimë këtë, e dimë gjithashtu forcën e Haaland. Ai do të jetë një shqetësim serioz, por kemi menduar diçka për të gjithë. Ne do të duhet të jemi të mirë në kufizimin e tyre. Mbrojtja e tyre është gjithashtu solide, pësojnë shumë pak. Kanë ndryshuar mënyrën e ndërtimit dhe mbrojtjes, por si grup e dimë se me kë do të përballemi. Do të mundohemi të luajmë me gjithë potencialin tonë, si në një ndeshje finale”.
Interi do të thirret gjithashtu për të shpaguar futbollin italian: “E dimë se suksesi ynë do të ishte i rëndësishëm për futbollin italian. Më vjen keq për Fiorentinën dhe Romën, tani është radha jonë, por unë ende mendoj se kemi bërë një rrugëtim të madh evropian. Është një shenjë e mirë për lëvizjen tonë futbollistike”.
Inzaghi ka ndërtuar një reputacion solid si specialist në finale: “Kam lojtarë që dinë të luajnë ndeshje të mëdha. Nuk kemi lojtarë që kanë kaluar në finalet e Champions League, as trajneri nuk e ka arritur këtë stacion, por kemi provuar finale të tjera. Do të duhet të jemi të kthjellët, sepse detajet bëjnë diferencën”.