Isa Mustafa: Letra e VV-së më përngjau më shumë në një ese

0

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë për gazetën Koha se LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer me Vetëvendosjen.

Letrën e fundit të liderit të këtij subjekti, Albin Kurti, ai e ka cilësuar një “ese ideologjik”. Ndërkaq koalicionin eventual me këtë subjekt, Mustafa e cilëson të nxitur, jo nga afërsia programore, por nga nevoja për ndryshime. Megjithatë, Mustafa thotë se e konsiderojnë me prioritet koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen, ndonëse nuk ka dhënë shenja të tërheqjes nga kërkesa për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilën aktualisht e mban Glauk Konjufca nga VV-ja. “Letra më përngjau më shumë në një ese ideologjik sesa përgjigje në propozimin tonë, të cilin me kërkesën e tyre ua prezantuam më 8 janar, dhe poashtu me kërkesën e z. Kurti ua përcollëm me shkrim më 15 janar”, theksoi Mustafa në intervistën për Koha në Prishtinë. Sipas tij, koalicioni me VV-në ka lindur si vullnet politik. “Por ky vullnet duhet të menaxhohet nga secili subjekt e jo përmes presionit publik dhe mediatik. Sepse koalicioni nuk është detyrë dhe as detyrim por shprehje e mirëbesimit reciprok si dhe e besimit se bashkërisht mund të implementohet një Program qeverisës, i cili i shërben Kosovës”, tha kreu i LDK-së./koha.net