Ora News ka siguruar dosjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ish kryebashkiakun e Durrësit, ish drejtorin e Urbanistikës, ndërtuesin dhe 7 ish zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.
Dy kallëzimet, si ajo për pallatin e dëmtuar nga tërmeti dhe padia për tenderin e shëtitores është bashkuar në një dosje.
Në dosje zbulohen dhe detaje sa i takon kallëzimit të bërë nga Ferdinand Xhafferraj. Bëhet fjalë për shëtitoren bregdetare dhe plazhin publik nga Brryli deri në Currila”
“Në vitin 2020, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin jetër nr 270 për shpërdorim detyre bazuar në kallëzimin e Ferdinand Xhaferraj i cili në kohën e bërjes së padisë ishte kryetar i PD në Durrës. Ai pretendon në kallëzim se gjatë tenderimit të studimit për “projektin zbatim për shëtitoren bregdetare dhe plazhin publik nga Brryli deri në Currila”, të parashikuar në buxhetin e bashkisë së Durrësit janë shkelur dispozitat e ligjit të prokurimit duke shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm prej rreth 18 milionë lekë (të reja) në buxhetin e institucionit.”
Banorët e pallatit të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 duke u bërë i pabanueshëm, thonë se ndërtuesi nuk ka ndërtuar në përputhje me projektin e miratuar dhe kushtet teknike që parashikonte projekti. Gjithashtu pallati nuk duhej kolauduar dhe as duhej dhënë leja e shfrytëzimit pasi ndërtuesi gjatë zbatimit të projektit nuk ka respektuar kushtet që parashikoheshin në projektin e miratuar.
“Pallati sipas kallëzimit është ndërtuar në vitin 2012 duke shkelur kondicionet strukturore, projekt i cili është miratuar më pas me lejen e ndërtimit nga organet kompetente të administrimit të territorit. Sipas kallëzuesve, pallati është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 duke u bërë i pabanueshëm. Banorët janë detyruar të zhvendosen në shtëpi të tjera pasi sipas tyre, projektuesit nuk kishin llogaritur mirë kushtet teknike në projektin e paraqitur nga shoqëria ndërtuese ashtu edhe ndërtuesi nuk ka ndërtuar në përputhje me projektin e miratuar dhe kushtet teknike që parashikonte projekti. sipas kallëzuesve leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe studimet gjeologjike dhe sizmike. Investitori sipas tyre nuk ka respektuar as kushtet teknike të projektit të miratuar nga KRRT e Bashkisë Durrës. Pallati sipas kallëzuesve nuk duhej kolauduar dhe as duhej dhënë leja e shfrytëzimit pasi ndërtuesi gjatë zbatimit të projektit nuk ka respektuar kushtet që parashikoheshin në projektin e miratuar.”
Në dosje zbulohet se tre muaj pasi bashkia miratoi lejen, ndërtuesi dorëzoi kërkesën për të miratuar dhe 4 katet shtesë
“Në datën 20 dhjetor 2020, pra tre muaj e dhjetë ditë nga miratimi i lejes së ndërtimit, subjekti “Fakle” sh.p.k. ka dorëzuar kërkesë për rikondicionim dhe shtesë kati në lejen e miratuar në lagjen 5 me vendimin nr.3 të vitit 2010. kërkesa është protokolluar në datën 22 dhjetor 2010 dhe i është bashkëlidhur preventive, 1.5.10 kate + papafingo+garazh nëntokë dhe dyqane përdhe, me një vlerë projektimi 55.227.910 lekë dhe grafiku I punimeve. pra subjekti pasi është miratuar leja e ndërtimit nga KKT Bashkia Durrës, për shtatë kate, pa filluar ende punimet ka bërë kërkesë për rikondicionim të sheshit të ndërtimit dhe ndryshime në projekt me shtesë katesh dhe pa marrë ende leje për prishjen e objektit ekzistues kudo të ndërtohej ndërtimi i ri. Pasi kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako është njohur me këtë kërkesë ja ka kaluar për veprime të mëtejshme Urbanistikës.”