Ish-zyrtarët e Kavajës fajtorë për falsifikimin e pronave në bregdet (VIDEO)

0

Gjykata e Kavajës shpalli fajtorë nëntë zyrtarë lokalë dhe i dënoi ata me 18 vite burg për tjetërsimin e pronave në plazhin e Spillesë. Sipas vendimit të shpallur në prill nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, ish-zyrtarët e Hipotekës dhe njësive administrative në Kavajë kanë përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Kavajës urdhëron gjithashtu që 5 parcelat e tokës objekt shqyrtimi të kalojnë në pronësinë e shtetit. Sipas hetimeve 2-vjeçare të Prokurorisë, ish-zyrtarët janë përgjegjës për falsifikimin e dokumenteve që mundësuan tjetërsimin e pronave publike në bregdet; fillimisht në emër të banorëve të zonës dhe më pas tek të afërmit e drejtuesve të pushtetit lokal, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë, Elvis Roshi.

Hetimi për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. Urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan skemën e tjetërsimit, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta.