Lidhur me prolongimin e procesit gjyqësor për rastin “Alfa” ka reaguar edhe i dënuari për këtë rast, Agim Islami.
Ai nga burgu, ku po vuan dënimin tashmë e 15 vjet porositi se nuk dorëzohet deri në zbardhjen e rastit, përcjell INA.
“Pěrshendetje miq dhe dashamirë. Nuk dorzohemi jo,deri ně zbardhjen e rastit ‘Alfa’ dhe lirimin tonë.
Liri pěr rastin ‘Alfa’. Liri pěr tě gjitha rastet e montume. 2008 /2023 15 vite i roběrum Padrejtěsisht por buzqeshjen smundeni me ma ndal asnjehere.”, ka shkruar Islami.
Seanca u shty me arsyetimin se trupi gjykues nuk ishte i plotë, respektivisht mungoi gjykatësja Anita Boshkovska dhe prokurori Boban Lazarevski.
Familjari i të dënuarit Agim Islami, njëkohësisht edhe ish i akuzuar, Ramiz Duati sot tha se është i zhgënjyer nga anulimi i seancës së sotme për rastin “Alfa” në Gjykatën Supreme.
Dauti thotë se super ekspertiza është dorëzuar para 21 muajve, ndërsa ende zvarritet nëpër gjykata.
“Duke pasur parasysh që ne kemi dorëzuar një ekspertizë, një super-ekspertizë tash e 21 muaj, ku Gjykata e Apelit na e vonoi 16 muaj, Gjykata Supreme tash e 5 muaj e vonoi të njëjtën, e zvarriti lëndën për Almirin, kështu që nuk di unë, nuk kam koment. Ditën e sotme e kam pritur si ditë të madhe, por në fakt doli një ditë e vogël si 15 vjet me radhë”, theksoi Dauti.(INA)