Itali/ “Parada Shqiptare”, Asti vishet me ngjyrat kuq e zi

Ditën e shtunë në Asti, u mbajt “Parada Shqiptare”. E para e këtij lloji në Itali, e organizuar nga Shoqata “Asso Albania Asti-Piemonte” në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Astit.

Në këtë manifestim ishin të ftuar shumë shoqata vullnetare shqiptare nga e gjithë Italia. Edhe pse në një ditë me shi, pjesa më e madhe e të ftuarve ishte në Asti, ku për një moment u shëndërrua në një Shqipëri të vogël kuq e zi.

Komuniteti shqiptar në Parma ishte ftuar dhe u përfaqësua nëpërmjet organizatave “Shkolla Shqipe Scanderbeg dhe Forum Donne Indipendenti. Ndërkohë morën pjesë edhe përfaqësues të Komunitetit shqiptar në Modena, Reggio Emilia dhe Piacenza.

Pika e parë e takimit ishte në Qendrën Kulturore “Margarita Xhepa” ku vizituam dhe pamë ambientet kaq bukur ndërtuar e mirëmbajtur nga vullnetarët dhe familjet shqiptare, klasat e shkollës shqipe, librarinë, sallën e baletit, kuzhinën dhe oborrin mikpritës.

Në “Shtëpinë e Shqiptarit” në Asti na pritën, presidenti i Shoqatës “Asso Albania Piemonte – Asti”, z. Marjan Bjeshkëza, koordinatorja e qendrës, drejtuesi artistik i qendrës dhe organizatori i “Paradës Shqiptare” në Asti 2022 z. Hasan Bulçari, stafi përfaqësues dhe vullnetarë.

Ambientet gumëzhinin nga zërat e të rinjve dhe fëmijëve të familjes së madhe shqiptare në Asti, ngjyra e motive shqiptare, muzikë dhe shije të vendit tonë, Shqipërisë. Më e bukura e këtij realiteti qëndron në integrimin dhe bashkëjetesën me qytetin dhe vendasit.

Më pas të gjithë u drejtuam në qendrën e qytetit dhe në një paradë madhështore të udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Astit dhe përfaqësuesit shqiptar e si një lum ngjyrash e tingujsh u derdh mes për mes shtëpive dhe shesheve astixhiane.

Imagjinoni një zemër të madhe shqiptare që rrihte nën ritmin e daulles, muzikës patriotike dhe flamurit kuq e zi… Emocione që nuk do të harrohen kurrë e sidomos nga të rinjtë e fëmijët të cilët ngjanin si shqiponja të lira e krenare.

Asgjë nuk e ndali dot “Paradën Shqiptare” në Asti që përfundoi rrugëtimin e saj në oborrin e Qendrës Kulturore “Margarita Xhepa”. Aty na pritnin pjata të ngrohta shqiptare dhe jo vetëm. Ndërkohë, në pritje të fillimit të koncertit, patëm mundësi të shkëmbenim përshëndetje me të gjithë shqiptarët, të ardhur nga të katër anët e Italisë.

Koncerti i mblodhi të gjithë të ftuarit pranë skenës të përgatitur enkas për këtë rast me artistë shqiptarë.

Një koncert shumë i pasur artistik ku Komunitetin Shqiptar të Parmës e përfaqësoi:

Monika Bekolli në flaut me pjesët: Dua më shumë Shqipërinë dhe me një Kolazh Muzikë Arbëreshë Musart (Fatma Mema) me këngën Party Musart.

Deana Paja e vetë përgatitur me koreografinë e Olta Shehut “Valle Dasme Shqiptare”.

Falënderojmë organizatorët e “Parada Shqiptare” në Asti 2022 për ftesën dhe organizimin e përpiktë!/Diasporashqiptare.al