Italia kalon në raundin e dytë të EURO 2020

Nëse ka një ekip që e meriton të jetë skuadra e parë që kalon më tej në Kampionatin Europian, është pikërisht Italia. Skuadra e Mancinit dhuron spektakël dhe dominon Zvicrën në ndeshjen e dytë të Grupit A teksa fitoi me rezultatin e pastër 3-0.

Të kaltërit luajnë bukur, bindin dhe marrin me meritë atë që u takon në “Olimpico” përpara mijëra tifozëve në një sfidë ku Zvicra nuk u pa asnjëherë në fushë.

Nisi menjëherë në sulm sfida për Italinë dhe pas disa rasteve të humbura, shënon Chiellini në 21 por VAR e anulon për prekje me dorë dhe 5 minuta më pas është Locatelli që gjen rrjetën nga një assist I Berardit.

Skuadra e Petkoviç ka shumë vështirësi për të krijuar ndërsa të kaltërit vijojnë të sulmojnë si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën ndërkohë që Mancini humbi Chiellinin për një dëmtim.

Menjëherë edhe në pjesën e dytë, në 52’ është sërish Locatelli që shënon golin e dytë personal dhe të dytin e ndeshjes me të majtën në limitet e zones së Zvicrës. Padyshim që mesfushori i Sassuolos është njeriu i ndeshjes që i jep Italisë kualifikimin Italisë në 1/8 e Kampionatit Europian.

Në një mbrëmje të tillë ka vend edhe për një gol të Ciro Immobiles i cili tund rrjetën në minutën e 89’ çka mbyll dhe sfidën me rezultatin 3-0. Ndeshja e tretë e të kaltërve do të luhet vetëm për të mbrojtur vendin e parë ndaj Uellsit që ka 4 pikë pas dy ndeshjesh. Zvicra ka ende shpresa teksa në sfidën e fundit do të luajë gjithçka përballë Turqisë që nuk ka asnjë pike.