ITSH nga Shkupi boton: “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITSH) me seli në Shkup, sapo e ka hedhur në qarkullim një edicion të veçantë të tij: librin me titull: “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, me autor profesorin e kompozicionit, Korab Shaqiri.

Përmbledhja “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, shpalos një dimension pak të njohur të artistit të madh, Ilir Shaqiri, i cili me krijimtarinë e vet shënjon epokën çerekshekullore të mbijetesës dhe të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri kombëtare e njerëzore.

Brenda volumit prej më shumë se 700 faqesh, autori, Korab Shaqiri, ka përmbledhur këngët më të njohura të Ilir Shaqirit, me qëllim që t’i standardizojë me “gjuhën” e muzikës së shkruar, duke i prezantuar në mënyrë komparative si tekste letrare dhe si partiturë (muzikë e shkruar).

Këngët që përfshihen në këtë volum kapin një periudhë kohore që prej viteve ‘80-të – kohë kur Ilir Shaqiri i kishte realizuar ato me orkestër foklorike, e deri në ditët tona, kur disa këngët e tij janë realizuar edhe me orkestër simfonike.

Sipas redaktorit muzikor të këtij botimi, Valton Beqiri, vlera e kësaj përmbledhjeje letrare e muzikore, përkon jo vetëm me Ilir Shaqirin si artist individual, por edhe me një pjesë të rëndësishme të historisë më të re muzikore shqiptare.

Kurse redaktori letrar, Arben Veselaj, në parathënie të këtij botimi, ka shkruar se, me tekstet që Ilir Shaqiripërzgjodhi për t’i muzikuar, qofshin ato nga letërsia kombëtare, apo edhe nga ajo botërore, si dhe me tekstet që ai vet i shkroi, pasqyrojnë tërë kalvarin e përvujtnisësë popullit të Kosovës në kërkim të lirisë kombëtare e njerëzore. “Këngët e tij çdo herë kanë krijuar realitete shpirtërore dhe rrjedhimisht edhe realitete objektive. Këngët e tij u bënë frymëzim dhe mobilizim për bëma heroike, sidomos për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Veselaj.

Autori i këtij botimi të veçantë, Korab Shaqiri, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë (në klasën e profesorit Haig Zaharian). Pas mbarimit të studimeve themelore i ka vazhduar studimet pasuniversitare (në klasën e profesorit Aleksandër Peçi). Më 2019 ka mbrojtur me sukses Disertacionin e Doktoraturës para një kolegji profesorësh të Universitetit Shtetëror të Shkupit, duke fituar gradën shkencore “Doktor i kompozicionit”.

Tani është mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë aktiv në skenën muzikore, si autor dhe kompozitor.