Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup ka reaguar pas një ligjerate nga një imam në Shkup, ku sic thuhet u përdor gjuhë e ashpër antisemite që ndërlidhet me konfliktin Rusi-Ukrainë, ku target ishte presidenti ukrainas me origjine hebreje, Zelinski.
“Fatkeqësisht ditëve të fundit na ka rënë të dëgjojmë edhe komente të pamatura nga ana e disa klerikëve në Shkup, të cilët përhapin një gjuhë të papranueshme dhe aspak humane në adresë të zhvillimeve aktuale në Ukrainë dhe sidomos të drejtuesve të këtij shteti. Me një gjuhë të tillë që del jashtë natyrës së predikimit normal fetar, këta klerikë përpos që po marrin anën e gabuar, ata po përhapin edhe një urrejtje të panevojshme në mes të popujve me religjione të ndryshme, duke nxitur madje një farë fryme antisetmitizmi në gjithë këtë histori të konfliktit Rusi-Ukrainë”, reagon Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Më tej thuhet se dimensioni i lirive njerëzore shkon përtej kornizave të ngushta të atyre që diversitetin fetar e shohin me ngjyrat bardh e zi. “Kështu ndodhi edhe me sjelljet aspak të dinjitetshme në disa vendbanime tona ndaj pjesëtarëve të sektit fetar hebre, Lev Tahor, të cilët në pamundësi për t’u strehuar përkohësisht bredhën nga Kumanova, Shkupi në Ohër. Pjesëtarët e këtij sekti kanë reaguar pas presioneve dhe kërcënimeve që kanë marrë nga banorët e fshatit Lakoçerej, ku janë vendosur tani disa ditë. Dënojmë sjelljet e tilla antihumane ndaj një sekti fetar i cili me asgjë nuk ka dëshmuar se paraqet ndonjë rrezik për rrethin, prandaj në gjithë këtë histori është për t’u fajësuar edhe MPB e cila nuk ka dalur me një sqarim drejtuar popullatës vendore, duke saktësuar se ata nuk paraqesin kurrfarë rreziku dhe qëndrimi i tyre i përkohshëm në vendin tonë nuk e cënon lirinë e askujt”, reagon ITSHKSH.
Departamenti për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit në ITSHKSH – Shkup, duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Ukrainë, si pasojë e invadimit rus, apelon për një maturi në diskursin tonë publik, duke mbajtur anën e atyre që aktulisht vuajnë pasojat e pushtimit dhe duke denuar agresionin mbi popullin sovran ukrainas, i cili mund të zgjerohet nëse nuk ndërmerren hapa preventiv për parandalimin e tij.
Hoxha nga Shkupi e quan presidentin ukrainas “dreq”: Ky i qajke jahudit, zullumqarët aspak s’duhet me na u dhimbsë!
Një imam nga Shkupi, hoxhë Muharrem Ismaili, gjatë fjalimit ku komentonte luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, e quajti ”dreq’’ dhe ”zullumqar”, presidentin ukrainas, dhe sulmin rus ndaj tyre e quajti të parastësishëm
”Sot dje pardje, muhabetin kryesor jemi duke e bo për luftën Ukrainë-Rusi, tema kryesore a unë ju thomë se rastësisht ju ka plasur sherri Ukrainës në oborr? Nuk është rastësisht, se para pak kohe kur Izraeli e luftojke Palestinën, kryetari i Ukrainës, qaj dreqi që del sot dhe rrin për gjynah aty, ai dilke dhe qajke për mediume për jahuditë”.
”Ky i qajke jahudit, zullimqaret nuk duhet me na u dhimt, se atij zullumqarit ia qon alluhu një zullumqar ma të madh, ne kemi thonë në hutbe, o Allah zullumqarit të vogel qoja një zullumqar të madh, e qitash i ka ardh një zullumqar me emrin Rusi, e tash din qysh me e trajtu zullumqarin se ka lotë krokodili”, thotë hoxha Muharrem. Madje ai thotë se në këtë përballje ku përfshin edhe NATO-n, Rusia do dalë fitimtare.
”Asgjë nuk kanë me mujt me i bo Rusisë, se ata janë zullumqarë, se zullumqaret le te kapen ne s’kemi pse mërzitemi për ta. Europa nuk e ndali zullumin në Siri, e shkatërrun atë vend të bekum, e tash zullumi i ka ardh në derë”.