Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në ceremoninë shtetërore për 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Në një reagim pas kësaj ngjarjeje, Mexhiti ka theksuar rëndësinë historike të Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një “dëshmi të shpirtit të pamposhtur shqiptar” dhe një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët, përfshirë ata në Maqedoninë e Veriut.
“Kosova është një histori triumfi të përkushtimit dhe sakrificës për liri e shtetndërtim. Në këto 17 vite, ajo ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe përparimit në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ky rrugëtim është frymëzim edhe për ne në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët kanë qenë dhe mbeten faktor kyç në zhvillimin demokratik dhe europian të vendit.
Mbështetja jonë për Kosovën nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë e lëkundur. Bashkëpunimi i ngushtë me Kosovën, është detyrë dhe amanet i historisë sonë të përbashkët. Vetëm përmes të lidhjeve tona të forta politike, ekonomike dhe kulturore mund të kontribuojmë për një të ardhme më të qëndrueshme, të begatë dhe të integruar për gjithë rajonin.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Uroj që flamuri i lirë i Kosovës të valëvitet gjithmonë me krenari dhe dinjitet!“, ka shkruar ai. (INA)