Ushtria e Izraelit ka njoftuar se afro 180 raketa janë lansuar nga Irani në drejtim të Izraelit të martën, raporton “BBC”.
Një ekspert izraelit i sigurisë ka thënë se shumica e raketave u shkatërruan nga Forcat Ajrore Izraelite në bashkëpunim me Komandën Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA-së.
Disa goditje janë regjistruar dhe dëmi ende po vlerësohet.
Është thënë më herët se raketat ishin balistike. Por, nuk dihet saktësisht se cilat raketa u përdorën.
“BBC” ka publikuar një hartë dhe arsenalin e raketave të Iranit dhe distancën që mund të përshkojnë.
Raketa më e fuqishme është Shahab 3 që mund të përshkojë distancë 2000 kilometra. Raketa Qiam-1 mund të arrijë rreth 750 kilometra e Zolfaghar mund të arrijë 700 km. Shahab 2 arrin 500 kilometra e Fateh-110 300 deri 500 kilometra. Shahab 1 arrin rreth 300 kilometra.