Ja çfarë thotë këshilltari i Ivanovit për rastin Monstra

0

Sinisha Aleksovski, këshilltari për siguri i Presidentit Gjorgje Ivanov, ka mohuar sot akuzat e gazetarit Zoran Bozhinovski, se është i përfshirë në rastin “Monstra”. Aleksovski, thotë se në kohën kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë të Liqeni i Smillkovës, ai nuk ka qenw komandant i njësitit policor “ Alfa”. Poashtu, ai mohon të ketë vënë në përdorim të njësitit makinën “Opel Omega”, e cila është përdorur si dëshmi kundër gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas Aleksovskit, akuzat e gazetarit maqedonas janë të pavërteta dhe të pabazuara në fakte.
Dorëheqjen nga funksioni si komandant i forcave speciale e ka dhënë në vitin 2009, 30 muaj para se të ndodhte vrasja, nga ky moment, ai thotë se nuk di se çfarë ka ndodhur në forcat “Alfa”.

“Angazhimi im si komandant i forcave special “Alfa” ka përfunduar më 6 nëntor të vitit 2009, apo thënë ndryshe 30 muaj para se të ndodhte rasti “Monstra”. Do ta përsëris, nga viti 2009 e lash detyrën dhe deri në atë periudhë vetura e tipit “Opel Omega” nuk është përdorur dhe nuk ka ekzistuar në njësinë speciale “Alfa”. Akuzat e ngritura ndaj meje janë gënjeshtra” -pohon Sinisha Aleksovski.

Akuzat ndaj këshilltarit për siguri të presidentit Gjorgje Ivanov, gazetari hulumtues Zoran Bozhinovski, i ka ngritur pak ditë më parë në një intervistë të tij dhënë për Almakos. Bozhinovski tha se në kohën kur Aleksovski ka qenë komandant i njësitit “Alfa”, e ka vënë në përdorim makinën, për të cilën prokuroria ka pohuar se e kanë përdorur personat e akuzuar për vrasje.