Ja nga sa para do ti marrin Nora e Distria për medaljet e arta

Të gjithë sportistët e Kosovës, të cilët kanë arritur rezultate kulmore në disiplinat sportive, qoftë në kampionate evropiane, botërore apo lojëra olimpike, do ta kenë përkujdesjen e shtetit, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat po mbahen sivjet me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë fituese të medaljeve të arta olimpike.

Bazuar në Ligjin për sportin, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, të dyja këto sportiste, por edhe trajnerin e tyre Driton Kuka, ka detyrim t’i shpërblejë në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore.

Ibër Alaj, udhëheqës i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, sqaron se cilat do të jenë shumat monetare të shpërblimeve, por edhe përfitimet tjera që kanë sportistët që kanë fituar medalje olimpike.

Sipas tij, medalistja e artë merr vlerën prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri merr vlerën prej 50 mijë euro. Po të njëjtit – ata që arrijnë normë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike – marrin mbështetje të përhershme financiare pas moshës 45-vjeçare.

“Mendoj dhe konsideroj që në këto pika, Republika e Kosovës edhe me buxhetin e varfër të saj, ka siguruar që sportistët, të cilët arrijnë rezultate të tilla, të mbështeten në mënyrë financiare dhe të kenë një status të veçantë në shoqërinë e Kosovës”, tha Alaj.