Ja pasuria e ish-ministrave shqiptarë

0

Ish-ministrat e PD, PS dhe të LSI renditen mes më të pasurve të Parlamentit. Gazeta prej disa ditësh ka nxjerrë të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të Parlamentit shqiptar dhe përveç biznesmenëve, rezulton se mes deputetëve me pasuri të lartë janë shumë ish-ministra. Një vit më parë kryeministri Edi Rama bëri disa ndryshime në qeveri, por që nuk pati shumë surpriza, pasi numri i të larguarve nuk ishte shumë i madh. Mes emrave që kanë një pasuri vërtetë të lartë mund të përmenden Bledi Çuçi, ish-ministër për Pushtetin Vendor, Eglantina Gjermeni, ish-ministre e Zhvillimit Urban dhe Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë. Sa i takon pasurisë së Çuçit gjatë gjithë viteve të deklarimit në ILDKP, rezulton me disa llogari bankare. Por të ardhurat më të shumta në familjen e tij i siguron bashkëshortja. Sipas deklarimeve për vitin 2017, bashkëshortja e tij ka deklaruar se zotëron rreth 150 mijë dollarë në një llogari bankare në SHBA, ndërsa po aty merr një pagë prej 129 mijë dollarësh në vit. Nëse kalojmë te Eglantina Gjermeni, edhe ajo ka një pasuri të lartë. Por njësoj si Çuçi, fitimet më të shumta vijnë prej bashkëshortit të saj. Sa i takon Ilir Beqajt, ai ka 9 llogari bankare me bashkëshorten, ka një apartament që e jep me qira. Bashkëshortja e tij deklaron se fiton rreth 30 milionë lekë të vjetra në vit.

Ish-ministrat e PD

Nga deklarimet për vitin 2017, ajo që bie në sy është se ish-ministrat apo ish-zv/ministrat e PD vijojnë të kenë pasuri relativisht të larta. Florion Mima rezulton të ketë një pasuri vërtet të lartë. Ai ka të ardhura nga qiratë, nga bashkëshortja, ndërsa rezulton me shumë llogari bankare. Ndërsa Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD, ka shpenzuar rreth 8 mijë euro për të shkolluar fëmijët jashtë vendit. Një tjetër ish-ministër është Halim Kosova, i cili rezulton me të ardhura shumë të larta. Ai ka deklaruar fitime nga qiratë, si dhe nga fitimet si mjek pranë spitaleve private. Po ashtu me të ardhura të larta rezultojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij, duke marrë mijëra euro në vit. Edhe Tritan Shehu renditet në këtë mes, i cili gjatë vitit 2017 ka shitur apartamentin. Ndërkohë ka shumë deputetë që deklarojnë vetëm të ardhurat nga paga e tyre dhe e bashkëshortëve. Sipas informacioneve, gjatë vitit 2018 ILDKP ka planifikuar të zhvillojë një kontroll të plotë të pasurisë për ministrat, deputetë dhe funksionarët e tjerë. Kjo do të thotë se do të kontrollohen të ardhurat që nga dita e parë e deklarimit të pasurisë dhe deri më sot. Kush rezulton me pasuri të pajustifikuar do të duhet të përballet me ligjin.

Ish-ministrat e LSI

Ish-ministrat e LSI rezultojnë të jenë ndër më të pasurit. Në krye janë Haxhinasto, Lefter Koka dhe Panariti. Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka deklaruar një llogari bankare me 24 milionë lekë të vjetra. Po ashtu bashkëshortja e tij ka deklaruar llogari bankare me vlerë rreth 36 mijë euro. Ndërkohë dy djemtë e tij rezultojnë me llogari bankare në Holandë dhe Britaninë e Madhe. Njëri prej tyre ka në llogari rreth 44 mijë paund. Lefter Koka ka ndryshuar disa apartamente, ndërsa Haxhinasto merr shumë fitime nga qiraja e një apartamenti./Kliti TOPALLI/Sot.com.al

Komentet

komentet