Kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti sot në Shkup u dakorduan për prioritete dhe projekte konkrete midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
Në fokus ishin projektet infrastrukturore dhe rritja e shkëmbimit tregtar, por bashkëpunimi edhe në sferat e tjera me interes për të dyja vendet, përcjell INA.
“Nuk shoh arsye që shkëmbimi tregtar të mos rritet e posaçërisht me përpjekjet e dy Qeverive dhe me ndërtimin e projekteve infrastrukturore, përfshi këtu autostradën që e lidhë pikën kufitare me kryeqytetin tonë. Pastaj rruga e mundshme që do ta lidh Tetovën me Prizrenin dhe prioritet tjera që janë me rëndësi për të dyja vendet”, deklaroi Mickoski, duke parë si fokus rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Por në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri Kurti.
“E kemi rritur shkëmbimin ekonomik dhe tregtar në vlerë prej gjysmë miliardi euro dhe në këtë bashkëpunim ka edhe investime reciproke në dyja vendet ndërkohë që ky gjysmë miliardi është në rritje e sipër sepse kemi një trend pozitiv. Maqedonia e Veriut tash e sa vite është vende ku eksportojmë shumë mallra të Kosovës e cila gjithashtu është në rritje. Në këtë dyfishim të eksporteve, një pjesë e madhe i takon eksporteve në Maqedoni të Veriut”, tha kryeministri kosovar.
Kurit nënvizoi nevojën e fillimit të zbatimit të projektit të kufijve të integruar apo një pikë e përbashkët kufitare sidomos në Hanin e Elezit dhe Bllacë.