Ja përse Albin Kurti duhet ta mbaj larg Edi Ramën

0

Nga Arben Llalla

Nuk dua të përmend për lidhjet e ngushta të Ramës me Vuçiqin apo për përpjekjet e tij për të ndarë Kosovën, sepse Albin Kurti i di më mirë si çdo shqiptar tjetër, por do të flas për përçarjen që mbjell Rama atje ku shkel e pi kafe.

Edi Rama bëri përpjekje të forta për të zhdukur Çështjen Çame, financoi miliona euro që PDIU mos të kishte asnjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë duke u vënë në shërbim të Greqisë. Rama u mundua me çdo mënyrë të përçajë PDIU-në e ta nxjerrë jashtë politikës, si inekzistente, por nuk ia arriti këtij qëllimi dashakeqës. (Jo rastësisht Edi Rama e nisi sulmin për neutralizimin e PDIU, për të sulmuar më tej partitë shqiptare në Maqedoni e Kosovës)

Edi Rama ndau Lëvizjen BESA në Maqedoni në dy pjesë, është pikërisht Rama përçarësi dhe projektuesi për shkatërrimin e kësaj Lëvizje BESA. Me tryezën e partive shqiptare në Maqedoni (viti 2016) erdhi ndarja e Lëvizjes BESA, si dhe prishja e koalicionit të ASH me RDK. Me emrin “Platforma e Tiranës” që shpiku Rama në vitin 2017, si projekt i partive shqiptare në Maqedoni, ai u dha shkak fqinjëve tanë të mendojnë që shqiptarët po përgatiten për shkatërrimin e Maqedonisë së Veriut. Dhe shkaktari kryesor i akuzave të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për “Platformën Fantazmë të Tiranës” ishte Edi Rama, duke i paraqitur shqiptarët si ekstremistë dhe të rrezikshëm për Ballkanin. Por, doli se ajo “Platformë e Tiranës” së Edi Ramës nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. (Kur Edi Rama vizitoi Tetovën, me pretekstin se do bashkonte faktorin shqiptar të Maqedonisë, tetovarët i vendosën foton e Esat Pashë Toptanit)

Pasi përçau shqiptarët e Maqedonisë Edi Rama u hodh në sulm për përçarjen e Lëvizjes VetëVendosje dhe ia arriti qëllimit me njerëzit e tij, Shpend Ahmetin dhe Dardan Molliqaj. Molliqaj nga shërbimi që i bëri Edi Ramës arriti që bashkëshorten e tij Besa Shahini ta bënte ministre e Arsimit të Republikës së Shqipërisë pa plotësuar asnjë kriter.

Edi Rama si kryqtar mbrojtës i Kishës Orthodokse Greke ka parimin “përça e sundo”, që më tej të shpallej “Sulltan”, nënshtruesi i klasës politike shqiptare në Ballkan, por ky qëllim dashakeqës i një skizofreni nuk u arrit.

Albin Kurti bënë mirë t’i ketë parasysh këto dhe të këshillohet me ata miqtë e tij në Tiranë, të cilët e kanë mbështetur në ditët më të vështira, atëherë kur Edi Rama bëri çdo përpjekje për ta shkatërruar dhe neutralizuar VV. Ndaj, Albini duhet ta ketë parasysh fjalën e urtë popullore: “Mos e bëj kurrë mik armikun e mikut tënd”.