Ja sa bullgarë janë regjistruar deri më tani në Maqedoni

Deri më tani në Maqedoni, vetëm 72 persona janë regjistruar si bullgarë, pohon ish -konsulli bullgar. Ivan Ançev, i cili ishte konsulli bullgar në Çikago, e konfirmoi këtë për mediat bullgare.

Sipas tij, nëse vetëm 1.000 njerëz në regjistrim tregojnë një ndjenjë kombëtare bullgare, kjo do ta privonte Sofjen nga çdo argument në mosmarrëveshjen aktuale me Shkupin.

Diplomati bën thirrje për konfiskimin e pasaportave të të gjithë atyre që kanë nënshtetësi bullgare dhe nuk deklarohen si bullgarë.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, sipas Entit të Statistikës, po realizohet sipas dinamikës së paraparë edhe pse për disa ditë kishte ndërprerje të këtij procesi, që ka nisur më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

Deri të hënën, sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar rreth 512 mijë persona, 158 mijë amvisëri dhe 212 mijë banesa.

Kundër regjistrimit janë deklaruar disa parti opozitare maqedonase, të grumbulluar rreth një organizate me emrin “Mos hap derën”. Borsillav Krmov, deputet i partisë “E Majta”, thotë se të dhënat e Entit nuk janë reale. (INA)