Ja sa ju mbron një dozë vaksine Fajzer, Moderna, Astrazeneca, J&J, Sputnik, Sinofarm?

Deri më tani, më shumë se 141 milionë amerikanë dhe më shumë se 33 milionë britanikë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 të administruar në dy doza. Sipas hulumtimit të kryer në 375,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, vaksinat nga Pfizer dhe AstraZeneca siguruan 72% mbrojtje kundër infeksionit simptomatik COVID-19.

Studimet deklarojnë se mbrojtja nga një dozë e vaksinës zgjat të paktën 10 javë, por që marrja e një doze të dytë është e një rëndësie të madhe sepse atëherë mbrojtja e Pfizer rritet në 90%. Një studim tjetër në terren nga Skocia, botuar në Lancet, tregoi se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer 28 deri në 34 ditë pas vaksinimit ishte 91% efektive kundër shtrimit në spital. Një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneca mbrojti 88% të simptomave të rënda që do të çonin në pranimin në spita. Ndërkohë një studim i kryer në Angli zbuloi se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer ose AstraZeneca uli përhapjen e infeksionit simptomatik mes anëtarëve të familjes me 50%, shkruan Business Insider.

Pfizer / BioNTech mbron të paktën 80% pas dozës së parë

Sipas dokumenteve të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), doza e parë e Pfizer ishte 52.4% efektive në mbrojtjen nga infeksioni simptomatik COVID-19. Sidoqoftë, ky vlerësim përfshin gjithashtu periudhën prej 11 ditësh para fillimit të dozës së parë, kështu që mbrojtja reale duhet të jetë më e lartë dhe të jetë në mes të 29.5% dhe 84.5%. Sipas të dhënave nga provat klinike, doza e parë e Pfizer ishte 100% efektive në mbrojtjen kundër shtrimit në spital dhe vdekjes. Stephen Evans, personi që merret me statistika në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Universitetit të Londrës tha se, bazuar në një vlerësim të përgjithshëm të të dhënave të FDA, ka “prova mjaft të qarta” që një dozë e vetme e vaksinës Pfizer mbron të paktën 80%, nëse jo 90%, të infeksionit simptomatik të coronavirusit.

Moderna – të paktën 80%

Vaksina Moderna ishte 69.5% efektive në parandalimin e coronavirusit simptomatik midis dozave të para dhe të dyta gjatë provave njerëzore, me një vlerë të vërtetë midis 43.5% dhe 84.5%. Ky vlerësim prej 69.5% përfshinte gjithashtu një periudhë prej 13 ditësh para se vaksina të fillonte të funksiononte, kështu që përqindja aktuale duhet të jetë më e lartë. Evans tha se bazuar në të dhënat e disponueshme, vaksina e Modernas siguron të paktën 80% mbrojtje pas dozës së parë, ose ndoshta më shumë se 90%, brenda 28 ditëve nga fillimi i veprimit.

AstraZeneca mbron të paktën 70% pas dozës së parë

Evans e ka më të vështirë për vaksinën e AstraZenec të përcaktojë efektivitetin e saj pas dozës së parë, sepse modele të ndryshme janë përdorur në fazat e mëvonshme të provës dhe thotë se kërkimi i gjerë i FDA është ende në vazhdim. Sipas një studimi të botuar më 19 shkurt në Lancet, një dozë e vetme e AstraZeneca ishte 76% efektive në 90 ditë mbrojtje ndaj COVID-19. Ekspertët në studim deklaruan se një dozë e vetme siguronte 100% mbrojtje nga shtrimi në spital.

Johnson & Johnson – 66%

Vaksina Johnson & Johnson filloi të mbrojë 14 ditë pas vaksinimit dhe siguroi 66.1% mbrojtje gjatë 28 ditëve të ardhshme. Efikasiteti i vaksinave në terren ndryshonte nga vendi në vend. Në SHBA, vaksina J&J ishte 72% efektive, në Afrikën e Jugut 64% dhe në Brazil 68%, por duhet theksuar se në Brazil dhe Afrikën e Jugut ekzistojnë lloje që mund të jenë në një farë mase rezistente ndaj antitrupave të formuar pas vaksinimit me këtë vaksinë.

Sputnik dhe Sinofarm kineze- efektet e tyre

Sipas revistës The Lancet, efekti i vaksinës Sputnik është 91.6 për qind – pak më pak në krahasim me efektin e vaksinave të kompanive Pfizer/BioNTech apo Moderna, mirëpo ka përqindje më të madhe të efikasitetit sesa vaksinat e kompanive AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Për dallim nga vaksinat tjera, doza e parë e vaksinës Sputnik V nuk është identike me dozën e dytë. Ato dallojnë, pasi secila shfrytëzon viruse të ndryshme si vektorë: një dozë virusi të pambëshjellur Ad26 në dozën e parë dhe një tjetër dozë virusi po ashtu të pambëshjellur Ad5 në dozën e dytë. Qendra Gamaleya beson se kjo gjë mund të ndihmojë në forcim të sistemit imunitar, edhe ate duke mbrojtur për më shumë se 9 muaj.
Njerëzit që marrin vaksinë kineze Sinofarm kundër Kovid-19 zhvillojnë imunitet ndaj virusit brenda dy javësh nga injeksioni i parë, deklaroi Lu Xhinzhen, shefi i Grupit Kombëtar Farmaceutik të Kinës (Sinofarm). “Një injeksion ju jep një garanci për 97 për qind mbrojtje, antitrupat zhvillohen ngadalë. Normalisht, niveli i antitrupave të nevojshëm për ta luftuar Kovid-19 do të zhvillohet brenda gjysmë muaji. Nëse merrni dy injeksione, mbrojtja 100 për qind është e garantuar”, pretendon Lu. Sipas tij, intervali midis injeksionit të parë dhe të dytë është 28 ditë, por në raste të veçanta të dyja injeksionet mund të merren në të njëjtën kohë. Shefi i Sinofarm siguroi që vaksina nuk do të jetë shumë e shtrenjtë.
Megjithatë, disa shkencëtarë besojnë se efekti i vaksinave është vështirë i krahasueshëm, pasi ato janë testuar në faza të ndryshme të pandemisë, si dhe nuk janë testuar kundër njëra-tjetrës.(INA)