Ja sa para përfiton Maqedonia e Veriut nga mërgimtarët

Diaspora është “infuzion” është shprehja më e zakonshme e cila përsëritet çdo vit, nuk është vetëm shprehje por është burim i realitet faktik, që pa diasporën vendet e vogla si Maqedonia e Veriut pësojnë “sëmundje” klinike ekonomike. Diaspora sidomos numri dërrmues shqiptarë vijnë për pushime në vendlindjen e tyre për të shpenzuar pa kontroll, kursejnë pa masë në vendet evropiane ku punojnë që pastaj në vendlindje të shpenzojnë pa llogaritur. Dhe, ky shpenzim “pa llogari” shkon në llogari të buxhetit të shtetit duke siguruar progres ekonomik të dobishëm për vendin. Prandaj, edhe për shkak të kësaj krijohet një varësi ekonomike nga diaspora, e për këtë dëshmitar më i mirë ishte viti pandemisë, që në mënyrë direkte pati implikime negative në aspektin ekonomik. Në një periudhë të zakonshme dhe pa kufizime, remitancat(dërgesat nga diaspora) që vinin nga mërgimtarët, kanë arritur normën deri në 15 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV-së). Në nivel vjetor ato zakonisht arrijnë deri në 1.5 miliard euro, shkruan Zhurnal.Mërgata ringjallë çdo vendlindje edhe në vendet e rajonit, në Maqedoninë e Veriut ardhja e mërgatës rigjallëron sektorin e biznesit, gastronomisë, dhe ndërtimtarisë, sepse shumica prej tyre ndërtojnë shtëpi, pushimet i kalojnë duke qarkulluar në vendbanimet e tyre duke blerë pa ndalur, pastaj edhe një shumë të konsiderueshme të parave ua japin familjarëve që jetojnë këtu. Kjo është mënyra direkte se si mërgimtarët i lënë paratë në vend, por pjesa tjetër investimi në mënyrë indirekte që përgjatë vitit pothuajse çdo muaj mërgimtarët kontribuojnë në buxhetin familjar për anëtarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Pra, përmes dy kanaleve vetë duke qenë në pushime këtu dhe duke dërguar për çdo muaj para në vendlindje, bëhet gjallërim dhe rifreskim i buxhetit të shtetit. Kjo është dëshmi që shprehja se mërgimtarët janë infuzion për vendin është shprehje kuptimplotë dhe e pa kontestueshme.

Mërgimtarët kanë dërguar afër 2 miliardë euro në dhjetë vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në periudhën 2009-2018, në mesatare për çdo vit janë dërguar nga 200 milion euro. Dhe, kjo dëshmon se dërgesat e mërgimtarëve kanë një ndikim të madh ndaj ekonomisë vendore, duke ulur varfërinë, zbutur bilancin tregtar etj,

Para katër viteve, pjesëmarrja e dërgesave nga jashtë në ekonominë vendore ishte afër 200 milion euro. Këto të dhëna bazohen në burimet administrative si pagesat legale në banka, si dhe transferin e shpejtë i parave, mirëpo remitancat apo dërgesat e parave të mërgimtarëve në vendlindje janë për disa herë më të mëdha se sa tregojnë të dhënat zyrtare, nëse merren parasysh edhe kanalet jozyrtare të dërgesës së parave nga shtetet e tjera në Evropë dhe shtetet e tjera jashtë saj ku jetojnë dhe punojnë mërgimtarët.

Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur se para fillimit të pandemisë së virusit korona, remitencat(dërgesa të diasporës) përbënin rreth 15 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) apo 1.5 miliard euro. Por, gjatë vitit të kaluar, remitencat kanë pësuar rënie për një të katërtën e kësaj vlere.

Projeksionet e Bankës Popullore janë që remitencat gjatë viteve të rriten për 20 për qind, por për shkak se kriza me pandeminë ka vazhduar më gjatë është pritur që gjendja normale të kthehet në vitin 2022.

Pra, viteve të fundit ka qenë shkaktar pandemia që ka pasur një rënie të investimeve dhe vizitave të mërgimtarëve që dukshëm është ulur edhe niveli i të hyrave. Tani sidomos në kulmin e krizës ekonomike vetëm vizitat e mërgimtarëve mund të zbusin egërsinë e çmimeve, për të cilat ata thonë se në vendet ku jetojnë produktet e njëjta janë me çmime shumë më të ulta.

Si duhet të trajtohen mërgimtarët nga shteti?

Diaspora ka nevojë për një qasje më serioze nga ana e institucioneve ndaj saj duke filluar me mbajtjen e kontakteve të rregullta me përfaqësuesit e saj në mërgim, por edhe gjatë ardhjeve të tyre në vendlindje. Ato kanë nevojë për një përkujdesje më të madhe institucionale si jashtë ashtu edhe këtu ku për shembull nevojitet që me ndihmën e fondeve shtetërore të organizohen studime të ndryshme që nesër do tu prezantohen investitorëve nga diaspora për mundësitë e investimit të kapitalit të tyre në zhvillimin e qendrave turistike.

Trajtimi i institucioneve të shtetit ndaj diasporës duhet të jetë i formës së veçantë duke pasur parasysh gjallërimin që e shkakton mërgata në vend. Të krijohet përparësi në tejkalimin e pikave kufitare në vend kur hyjnë dhe dalin, të përshpejtohen procedurat për marrjen e dokumentacioneve të ndryshme, mes tjerash të krijohet siguri që gjatë kohës që janë në pushime mos të jenë cak i sulmeve apo vjedhjeve eventuale që mund të ju ndodhin.

Megjithatë, duhet bërë e qartë se në të ardhmen mund të pritet gradualisht edhe ulja e remitencave(dërgesa të diasporës) si rrjedhojë e ndryshimit të mënyrës së jetesës në mërgim, bashkimit familjar si dhe akomodimit dhe përshtatjes së mërgimtarëve me jetën jashtë vendit. Në ndërkohë, analizat e Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) tregojnë se emigrimi mund të ulë edhe konkurrencën e ekonomive në shtetet e Ballkanit perëndimor. Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me rënie të madhe të popullsisë në moshë pune, e për pasojë veç të tjerash efektet në zhvillimin ekonomik të vendeve do te jenë negative.

Nga ana tjetër, ulja e fuqisë punëtore në rajon do të rrisë presionin për rritjen e pagave, ndërsa edhe zëvendësimi i punëtorëve më përvoja dhe të trajnuar që janë shpërngulur, do të shkojë shumë ngadalë si proces. Parashikimet e FMN-së, thonë se do të vazhdojë edhe më tej migrimi i popullatës nga rajoni, ndërsa si rrjedhojë e këtyre proceseve në periudhën 2015-2030 pritet edhe ulje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. /Zhurnal.mk