Jahja Kemal: Shkollat tona kanë fituar reputacion si në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtarë

0

Përmes një shkrimi drejtuar mediave, kolegji ‘Jahja Kemal’ ka bërë të ditur se funksionojnë në Maqedoni që nga shtatori i vitit 1996 kur atëherë me vendim të qeverisë së vendit edhe janë akredituar si institucion arsimor.

Ndërkohë që krahas këtij sqarimi, nga kolegji theksojnë se tashmë kanë fituar reputacion në fushën e arsimit dhe edukimit si këtu në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtarë.

“Shkollat ​​tona u themeluan me vendim nr.23-2407/1 të Qeverisë së atëhershme të Republikës së Maqedonisë më 16.09.1996. Prej atëherë e deri në ditët e sotme, ato kanë fituar reputacion në fushën e arsimit dhe edukimit si në vendin tonë ashtu edhe në nivele ndërkombëtarë. Rezultatet e panumërta që kanë marë në fushën e aktiviteteve edukativo arsimore në Olimpiadën shtetërore dhe ndërkombëtare shkencore vërtetojnë se Jahja Kemal është një brend”, thonë kështu nga kolegji ‘Jahja Kemal’.

Nga atje mes tjerave thonë se maturantët pas marrjes së diplomave janë regjistruar në universitetet elitë në mbarë botën duke fituar kështu edhe bursa të plota.

“Gjithashtu, maturantët me marrjen e diplomave të njohura ndërkombëtare në shkollën tonë janë të regjistruar në universitetet më elite të botës me bursë të plotë, duke dëshmuar kështu kualitetin e arsimit të fituar në shkollat ​​tona. Fatkeqsisht, për të ndikuar në numrin e nxënësve që duan të fitojnë arsimin e tyre në shkollat ​​tona, për çdo vit, në periudhën e regjistrimit për vitin e ardhshëm shkollor nga qendra të caktuara përhapen akuza dhe shpifje të rrejshme. Ne të njëjtat i udhëzojmë që nëse kanë informacione dhe dëshmi specifike për shkollat ​​tona, të drejtohen te autoritetet shtetërore dhe gjykatat, dhe mos të përhapin çdo vit gënjeshtra për të manipuluar publikun”, vlerësojnë kështu nga Drejtoria e Përgjithshme e SHMP “Jahja Kemal”.