Analisti i njohur në Beograd, Dushan Janjiq e ka vlerësuar hap të mirë vendimin e Qeverisë së Kosovës për të reduktuar numrin e forcave policore në komunat veriore, por ka thënë se ky hap nuk e zgjidh problemin.
Ai ka thënë se zgjedhjet në veri duhet të mbahen vetëm pasi të krijohen kushtet e sigurisë dhe qytetarët serbë të shprehin lirshëm dhe të pandikuar vullnetin e tyre në kutitë e votimit, teksa është shprehur i bindur se tashmë Lista Serbe e ka humbur kredibilitetin tek qytetarët në veri të Kosovës.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se është bërë vetëm hapi i parë i vogël, largimi i 25 përqind të policisë, që do të dislokohen në vende tjera në veri. Kjo në esencë e lehtëson vazhdimin e dialogut, por duhet parë përgjigjen e palës tjetër, që është Beogradi, Vuçiqi dhe Lista Serbe në terren. Por, për të qenë optimist besoj se kemi hyrë në fazën dhjetë ditore ku do të mund të zgjidhej problemi i parë, e ky problem është prezenca e madhe e policisë, tërheqja e saj nga qyteti dhe nga objektet komunale. Nga ana tjetër duhet të bëhet tërheqja e çfarëdo kërcënimi për protesta apo bllokadë të procesit dhe krijimi i kushteve për kthimin e KFOR-it në kazerma dhe të kryejë punën e ushtrisë e jo punën e policisë siç e bënë tani. Me këtë do të ulej në masë të madhe rreziku për kërcënime të reja të sigurisë”, ka theksuar Janjiq për magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK.
Tutje analisti serb ka thënë se as zgjedhjet nuk janë çelësi i zgjidhjes së problemit. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se kriza është shumë më e gjerë se sa zgjedhja e katër kryetarëve të komunave në veri. Çështja është se a do të ketë kthim të serbëve në forcat policore, në gjyqësi e prokurori. Vetëm atëherë do të mund të flasim për parakushtet për sundim të ligjit. Unë pajtohem se sundimi i ligjit është qëllim por në këtë moment siguria është elementare. Aty nuk janë bërë hapa shtesë ende. Zhvendosja e policisë nuk mund të kryejë punë. Tani duhet të presim pohimin e palës tjetër se ekziston pëlqimi për të gjitha këta hapa. Ma merr mendja se ekziston komunikimi Bislimi-Petkoviq”, ka shtuar Janjiq.
Tutje ai ka thënë se ‘deri te zgjedhjet lokale mund të vijmë shumë lehtë, por pa kthimin e përfaqësuesve serbë në organet gjyqësore, në organet e administratës, në doganë e polici nuk ka kushte për sundim të ligjit e nuk ka as kushte për çarmatosjen e atyre që kanë armë dhe që i përdorin edhe kundër qytetarëve, edhe kundër policisë e KFOR-it’.
“Kush bisedon tani me politikanët që nuk janë në Listën Serbe. Lajçaku i ka vizituar një herë, dhe një herë edhe Von Cromon. Nëse mendohet të përsëritet pushteti i Listës Serbe kjo është e pamundur. Lista Serbe e ka humbur kredibilitetin në mesin e qytetarëve dhe votuesve. Por që qytetarët të shprehin lirshëm vullnetin e tyre ata duhet të kenë kushte shumë të mira e të kenë qasje në media. Kjo është një punë shumë serioze ku duhet të përfshihet edhe OSBE-ja por edhe KFOR-i për siguri. Problemi kryesor është se si të organizohen këto zgjedhje në kushte normale që ato të jenë legjitime. Shumë qytetarë mendojnë se lëvizja e Listës Serbe për t’i braktisur institucionet ka qenë gabim dhe për këtë gabim duhet të japin përgjegjësi Lista Serbe dhe Vuçiqi, i cili i ka mbështetur”, ka nënvizuar Janjiq.
Ai tutje ka theksuar se dinamika e rrethanave po ndryshon, pasi popullariteti i Vuçiqit dhe partisë së tij në Serbi po bie.
“Pra, sipas meje nuk ka kushte për zgjedhje përderisa nuk kemi siguri elementare dhe përderisa nuk kemi organe gjyqësore e prokurori me përfaqësues të serbëve brenda tyre”, është shprehur Janjiq.