Janusz Bugajski: Amerika ka nevojë për një strategji më të fuqishme ndaj Rusisë

0

Janusz Bugajski

Me provat në rritje (që tregojnë) se Kremlini ka financuar Talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan, ka ardhur koha që Uashingtoni të hartojë një strategji më të fortë kundrejt Rusisë. Kjo strategji duhet të përfshijë të kuptuarit më qartë të objektivave anti-amerikane dhe anti-europiane të Presidentit Vladimir Putin si dhe instrumenta më efektivë për të ndaluar ambiciet e Kremlinit.

Synimi afatgjatë i Moskës është të shpërbëjë Perëndimin duke përmbysur ndryshimet e epokës së pas Luftës së Ftohtë, gjatë së cilës Rusia humbi territoret nën sundimin sovjetik dhe satelitët e tij. Përpjekjet e Kremlinit për të ndërtuar “polin e pushtetit” euroaziatik janë të planifikuara për të siguruar dominimin nga Rusia të secilit fqinj, për të dobësuar unitetin perëndimor, dhe për të krijuar trazira në rajone të paqëndrueshme si Ballkani.

Një përbërës thelbësor i politikës së Moskës është një ofensivë anti-amerikane për të eliminuar praninë ushtarake amerikane nga Europa dhe Lindja e Mesme dhe për të ulur ndikimet politike të Uashingtonit. Dhe për të kompensuar dobësinë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë në krahasim me NATO-n, Moska, për të arritur objektivat e veta, përdorë një shumëllojshmëri të mjeteve politike, financiare, kibernetike dhe informuese.

Administrata e SHBA-së nuk mund të jetë pasive ose thjesht t’i kundërpërgjigjet sulmeve të vazhdueshme të Putinit, pasi ky (qëndrim) veçse e inkurajon atë të intensifikojë ofensivën dhe të pretendojë se Uashingtoni ka frikë të provokojë Rusinë. Përveç përforcimit të mbrojtjes amerikane, si dhe konsolidimit të aleancave politike dhe ushtarake të Amerikës dhe ndihmës ndaj partnerëve të NATO-s që gjenden nën kërcënim të drejtpërdrejtë, veçanërisht Ukrainës dhe Gjeorgjisë, Uashingtonit i duhet të përdorë dy armë të ndërlidhura sulmi, (ato) politike dhe informuese.

Politikat e suksesshme të SHBA-së ndaj bllokut Sovjetik gjatë drejtimit të Presidentit Ronald Reagan mund të shërbejnë si një mësim i hidhur mbi rigjenerimin e parimeve thelbësore në marrëdhëniet me Rusinë. Duhet të mbështetet në promovimin e pluralizmit politik, demokracisë, të drejtave të njeriut, decentralizimit dhe federalizmit të mirëfilltë. Pa një transformim politik gjithëpërfshirës dhe paqësor, Rusia do të degjenerohet në një shtet të dështuar, të ngjashëm me Jugosllavinë pas Titos.

Disa kriza të njëkohshme gjatë muajve të fundit kanë ekspozuar hapur dobësitë e Rusisë, përfshirë rënien e çmimeve të naftës, ekonominë në tkurrje, pandeminë (me përhapje) të shfrenuar, rënien e mbështetjes publike për Putinin dhe rritjen e trazirave në rajone. Rusia është e prekur nga shumë më shumë sëmundje ekonomike, sociale, politike, etnike, fetare dhe rajonale sesa demokracitë perëndimore.

Autoritarizmi në rritje i Kremlinit nuk ngjan me brutalitetin komunist dhe shtimi i rezistencës në fund të fundit do të kontribuojë në copëtimin e vendit. Kombësi të shumta dhe rajone të ndryshme janë zënë në lak brenda një strukture nga çfarë përfiton vetëm një elitë e vogël personeli sigurie, burokratësh dhe oligarkësh. Me pabarazitë ekonomike në rritje në rajone, investimet e pamjaftueshme nga Moska, dhe mungesat e autonomisë vendore, struktura federale do të bëhet gjithnjë e më e paqeverisshme.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Reagan miratoi transmetimin e fakteve kombeve të robëruara të bllokut Sovjetik, në mënyrë që t’i kundërvihej trillimeve të vazhdueshme komuniste. Uashingtoni tani i duhet të mbështesë përpjekjet për të informuar më mirë opinionin publik rus mbi dështimet dhe mashtrimet e Kremlinit. Perëndimi zotëron ekspertët kibernetikë, mjetet dixhitale dhe domosdoshmëritë gjeopolitike për të ndërmarrë një sulm të qëndrueshëm informacioni bazuar në fakte mbi fajtorët e vërtetë për përkeqësimin e Rusisë. Një shumicë mediash dhe platformash sociale mund të përhapin të dhëna të hidhura të shmangura nga propaganda shtetërore e Rusisë, veçanërisht mbi varfërinë në rritje, infrastrukturën e shkatërruar, katastrofat mjedisore, korrupsionin qeveritar, rënien demografike dhe zgjerimin e trazirave rajonale.

Ashtu sikurse Moska humbi luftën e saj propagandistike kundër Perëndimit gjatë periudhës sovjetike, ofensiva informative e tanishme e udhëhequr nga Amerika duhet të manovrohet drejt fuqizimit të kombeve dhe shoqërive për të zëvendësuar sistemin Putinist. Mediat perëndimore, OJQ-të dhe platformë të ndryshme të informacionit mund të synojnë rininë, studentët, punëtorët, grupet etnike dhe fetare, rajonalistët dhe të tjerë segmente të pandikuar të popullit, që të ndihmojnë në frymëzimin e shfaqjes së lëvizjeve alternative. As Rusia nuk është imune ndaj populizmit kundër klasës sunduese të vendosur (anti-establishment) që ka përfshirë Europën dhe SHBA-në vitet e fundit.

Një komponent tjetër kryesor i një sulmi Perëndimor është shpërndarja e materialeve komprometues për Putinin dhe rrethin e tij të afërt të zyrtarëve të korruptuar. Vendosja e sanksioneve financiare për sulmet e Moskës ndaj Perëndimit është e pamjaftueshëm pa informimin e qytetarëve rusë se edhe ata janë gjithashtu viktima të Putinit. Padyshim që shërbimet perëndimore të inteligjencës posedojnë informacion më të plotë sesa aktivisti i opozitës Alexei Navalny mbi vjedhjen e buxhetit rus nga zyrtarët dhe oligarkët.

Zbulimet në lidhje me grykësinë dhe goditjet pas shpine brenda elitës qeverisëse gjithashtu mund të krijojnë pasiguri në qarqet qeveritare dhe të ekspozojnë dobësitë politike të regjimit. Dyshimi dhe mosbesimi do të ngjallin frikën e spastrimeve politike ose të shpronësimit të oligarkëve nga shteti dhe do të përkeqësojnë luftimin mes grupimeve. Një sulm informacioni do të ndihmojë në zbehjen e fushatës anti-amerikane të Kremlinit, ndërsa Uashingtoni përgatitet për pasojat ndërkombëtare të copëtimit të mundshëm të Rusisë.