Javë polare për shkupjanët

Xhabir Ahmeti

Nuk di se cila natë me radhë është që mbi pesëqind familje shkupjane e nuk e di sa shkolla, kopshte fëmijërore e institucione të tjera ë ngjashme po i kalojnë me batani e jorgana mbi supe e termoforë nën këmbë e pa ngrohje qendrore të cilën kurrë s’e kemi marrë pa paguar.

Kështu po i kalojmë këto net të dimrit. Herë pas here shpresa na thotë se mos janë mëshiruar ndërmarrja për ngrohje qendrore dhe qeveria e shkojmë i prekim radiatorët. Kot. Janë akull të ftohtë radiatorët që duken si stoli të trishtimit.

Kthehemi e ulemi para televizorit. Prapë shpresojmë mos ka ndonjë lajm të mirë. Lajme që përsëriten çdo ditë, lajme të parëndësishme. Për ngrohjen që e kemi paguar dhe që vazhdojmë ta paguajmë nuk ka lajm. Prapë shpresa na mashtron: ndoshta nesër bëhet më mirë. Shumica e njerëzve thon: bëre zot ëndërr.

Ndërkohë të ftohtët shkon duke u shtuar e heshtja e qeverisë duke u bërë më e padurueshme. Bashkë me ta heshtin edhe ata të cilve ua kemi dhënë votën që të jenë në pushtet.