Nënkryetari i ASH-së, Gëzim Kadriu përmes një postimi ka komentuar veprimin e fundit të partive të koalicionit VLEN që morën vendimin e bashkimit.
Ja shkrimi i plotë:
Siç duket, partnerët e koalicionit shumë shpejt harruan kauzën dhe zotimet. Me gjasë, qeverisja po u shkakton dëme – qoftë në memorien e tyre, qoftë në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e vendit.
Sa për rikujtim, për t’ua freskuar memorien:
1. VLEN-in e bëri ASH me Arben Taravarin, me sakrificë të madhe brenda dhe jashtë partisë, për të realizuar rotacionin politik te shqiptarët pas 22 vitesh.
2. Asnjë nga liderët e VLEN-it nuk pati guximin të kandidojë për zgjedhjet presidenciale, duke e ditur se do të përjetonin fiasko, dhe se kjo do të dëmtonte shpresën e qytetarëve për të votuar VLEN-in në zgjedhjet parlamentare që mbaheshin një javë më pas. Përsëri, shpresa ishte Arben Taravari – ai kandidoi dhe nuk iku nga përgjegjësia.
3. Arben Taravari ishte garanca e faktorit vendas dhe atij ndërkombëtar gjatë formimit të kësaj qeverie.
4. ASH, në të gjitha anketat, kishte rejting sa tre partitë e tjera bashkë. Arben Taravari pranoi që të jemi të barabartë – 25% secila në ndarjen e pushtetit.
5. VLEN duhej të bëhej një parti politike pas 100-ditëshit të qeverisë dhe kryetar i saj do të ishte Arben Taravari. Disa liderë të VLEN-it e kishin uruar për këtë zotin Taravari.
6. Gjatë bisedimeve për ndarjen e komunave për zgjedhjet lokale, doli fytyra e vërtetë e Lëvizjes Demokratike, BESËS dhe AAA-së. Ata u bënë një palë dhe paraqitën një ofertë ultimative ndaj ASH-së – në stilin “merre ose lëre”. Grupi negociator i ASH-së, duke ndjekur përgjegjësinë e procesit, bëri katër oferta ndaj tyre, por fatkeqësisht ato u refuzuan, pasi kishin ndarë mendjen për t’i bërë dëm dhe lojë ASH-së.
7. Performanca qeveritare (realizimi i platformës politike të VLEN-it) ishte një dështim total në mbrojtjen e kauzës kombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e vendit.
Fillimisht, marrëveshja bazë VLEN–VMRO parashihte që përfaqësuesit e VLEN-it të merrnin ato që kishin përfaqësuesit e BDI-së. Pas 10 muajsh qeverisje, nuk arritën të marrin as 50% të asaj që ishte dakorduar.
8. Tragjedia e Koçanit
Nëse ekziston diçka që është menaxhuar mirë gjatë kësaj qeverie, është tragjedia e Koçanit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, mori vlerësime maksimale nga të gjithë faktorët, vendorë dhe ndërkombëtarë – përveç “partnerëve të koalicionit”, të cilët porositnin lajme të rreme kinse shëndetësia është në gjendje katastrofale dhe në Klinikën e Pediatrisë kishin vdekur foshnje. Kurse e vërteta është se kemi dy herë më pak vdekshmëri të foshnjave në krahasim me periudhat e mëparshme.
LEN po bëhet një parti, dhe uroj realizimin e kësaj agjende që, duket se, është dakorduar më herët – fshehurazi nga ASH.
Të paktën le të informohet opinioni se kush do të jetë lideri, që natyrisht ta urojmë!
Gjithçka që fillon me manipulime, ashtu edhe përfundon. Uroj që gjatë zgjedhjes së kryetarit të partisë të mos përçahen!