Jo vetëm Hënën, Trump premton kura për kancerin dhe AIDS

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump u ka premtuar votuesve se do të kurojë jo vetëm kancerin dhe HIV AIDS, por dhe se do të dërgojë austronautët amerikanë në planetin Mars – nëse ai fiton një mandat të dytë. Kështu Trump ka zyrtarizuar fushatën për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë duke e nisur tubimin e parë në Orlando të Floridas.

“Ne do të gjejmë kurën për një sërë sëmundjesh duke përfshirë edhe kancerin. Ne do të zhdukim AIDS-in në Amerikë njëherë e përgjithmonë dhe jemi shumë afër. Ne do të hedhim themelet për uljen e astronautëve amerikanë në sipërfaqen e Marsit”, tha ai.

Premtimet e Trump për të gjetur kura për kancerin hasën në një sërë reagimesh në rrjetin social “Twitter” duke qenë se ekzistojnë më shumë se 100 lloj kanceresh, disa prej të cilave të durueshme, ndërsa disa trajtime të tilla si imunoterapia funksionojnë për shumë të sëmurë, por jo për disa të tjerë. Shumë të tjerë shkruanin se edhe virusi i HIV prej vitesh ka trajtime të suksesshme me Antiretrovirale që nuk çojnë në AIDS. Sa i përket komentit të Trump për të dërguar astronautët amerikanë në planetin Mars, disa shkruanin se Trump do të bënte mirë të shkonte vetë atje dhe të mos kthehej më.

Gjatë tubimit në Orlando, ndër të tjera Trump u zotua se do të vazhdojë të luftojë migrimin e paligjshëm.
“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara te Amerikes duhet të jenë një vend i shenjtë për qytetarët që respektojnë ligjin, jo për kriminelë të huaj”, deklaroi Trump.
Zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen në nëntor të vitit 2020. Në kampin tjetër më shumë se 20 kandidatë demokratë kanë shpallur synimet për të kërkuar nominimin, ndërsa sondazhet po i udhëheq, ish-nënpresidentin Joe Biden.