Jolevski: T’i lihet hapësirë kryeprokurorit Islam Abazi për të dëshmuar veten

Pas zgjedhjes së Islam Abazit në krye të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Maqedoninë e Veriut, në media po zhvillohen debate për afërsinë e tij me BDI-në, pasi që janë publikuar disa foto me njerëz të këtij subjekti politik, duke pasur parasysh se ai vjen pikërisht nga fshati Zajaz.

Por kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Jolevski deklaroi mbrëmë në emisionin Top Tema në Telma se duhet ti lihet hapësirë Abazit që të dëshmoj veten, sepse siç nënvizoi rezultatet e Abazit si kryetar i prokurorisë së Gostivarit janë të padiskutueshme.

“Në këtë rast duhet t’i lihet hapësirë ​​Abazit, që të dëshmohet ashtu siç është dëshmuar në prokurorinë e Gostivarit. Ky prokuror do të duhet të menaxhojë atje siç ka menaxhuar prokurorinë e Gostivarit. Në prokurorinë e Gostivarit ka pasur mijëra raste, kështu që kanë ardhur në situatë që të pastrojnë një pjesë të madhe të lëndëve gjatë periudhës së tij 4 vjeçare”, thotë Jolevski për TOP Tema.

Në rrjetet sociale dhe media shpërthyen foto të Abazit me vëllain dhe shoferin e Ali Ahmetit në një ndejë private, foto me Nevzat Bejtën dhe funksionarë të tjerë. Këto foto u publikuan pasi që Abazi tha se nuk kanë ndonjë njohje dhe se kurrë nuk ka qenë anëtar i ndonjë partie politike. (INA)