Këshilli iniciues i hoxhallarëve të Tetovës u mblodh para Bashkësisë Fetare Islame në Shkup, nga ku i kërkuan kreut të BFI-së Reisul Shaqir Fetait dhe anëtarëve të Rijasetit që ta tërheqin vendimin për shkarkimin e Myftiut të Tetovës Qani Nesimi.
Irfan Emurllai nga ky këshill, thotë se nëse nuk marrin përgjigje për kërkesën e tyre, do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm sipas parimeve kushtetuese të BFI-së.
“Si rrjedhojë nëse nuk marrim përgjigje për kërkesat tona dhe ju vazhdoni të merrni vendime antikushtetuese dhe antiligjore, duke mos respektuar vullnetin e gjykatave të këtij shteti. Ju nuk i respektoni vendimet e gjykatave të këtij shteti! Do të detyrohemi t’i radikalizojmë qëndrimet tona dhe të ndërmarrim hapa konkret radikal, sipas parimeve kushtetuese të BFI-së. Ndërsa përgjegjësinë do ta bartni ju Reisul Ulema”, tha Irfan Emurllai, Këshilli iniciativ i hoxhallarëve të Tetovës.
Të pyetur rreth kësaj, nga BFI thanë se Qani Nesimi edhe ligjërisht nuk është myfti i Tetovës të cilët e konsiderojnë si një person që i ka uzurpuar zyrat e këtij institucioni, pasi që çdo ditë po qëndron aty. Sipas BFI-së shkarkimi i tij është bërë për shkak të mosraportimit dhe moskoordinimit me organet më të larta për çështjet e denacionalizimit të pronave që rezultoi me humbjen e disa ndërtesave te Arabati dhe 12.000 m2 si dhe shatërvani të cilat tanimë në kadastër kanë kaluar në pronë të Teteksit.
“Tentimi i blerjes së barakave të vjetra që janë në pronën e vakëfit të BFI, është tentim për keqpërdorim të mjeteve materiale të Myftinisë. Keqpërdorimi dhe falsifikimi i dokumenteve është shkelje drastike e detyrës së Myftiut. Mbajtja e zyrave të Myftinisë me kërcënime dhe moslejimi për të marrë detyrën UD Myftiu dr. Selver Xhemaili është vepër e pashembullt dhe në kundërshtim me vendimet e Rijasetit të BFI të RMV. Mbajtja e zyrave të Myftinisë së Tetovës me persona me dosje kriminale që mund lehtë të shkaktojnë akte ekstremiste dhe radikaliste me mundësi të dhunës kundër imamëve apo akte të terrorit”, thonë nga BFI.
Bashkësia Fetare Islame e ka shkarkuar Qani Nesimin nga detyra e Muftiut të Tetovës në nëntor 2023. Më 3 qershor 2024 Gjykata Civile Shkup solli vendim të përkohshëm që Nesimi të mbetet Myfti i Tetovës./TV21