Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke ironizuar me procesin e zvarritur të zgjedhjes së kryetares së Kuvendit dhe duke kritikuar kandidaturën e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kadrijaj, në një deklaratë për media tha se situata në Kuvend është kthyer në një përsëritje të njëjtit skenar.
“E mira është veç me propozu ‘Çmimin Nobel’ për Albulena Haxhiun, edhe pse ky çmim është për të rriturat dhe sukseset për ndonjë lëmi. E tash me propozu për dështimet e një pas njëshme në plotë seanca”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo po ashtu tregoi propozimin e kryesuesit të Kuvendit.
“Po përsëritet skenari i njëjtë. Ishte një kërkesë e kryesuesit që të konsultohemi që seanca të mbahet çdo javë, e kjo u refuzua nga partitë. Pasi kjo është shkelje e Kushtetutës, e cila thotë se për konstituimin e Kuvendit, seanca duhet të mbahet çdo 48 orë”, ka thënë Kadrijaj.
Sa i përket komenteve të deputetëve për çështjen që është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, Kadrijaj njoftoi se është nisur për në këtë institucion për të dorëzuar komentet brenda afatit të fundit ligjor.
“Tash po nisem për në Gjykatën Kushtetuese, është afati i fundit për dërgimin e komenteve. I kemi hartuar edhe disa komente në përkrahje dhe mbështetje të asaj që kemi dërguar dhe arsyetimin se pse duhet të trajtohet me seriozitet. Ne tash po fillojmë të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, do i dorëzojmë komentet dhe normal që dëshirojmë që të fuqizohet kërkesa paraprake”, u shpreh ajo. /Telegrafi/