Kafeneja gjermane detyron klientët që me kapele speciale të mbajnë distancën (FOTO)

0

Të gjithë konsumatorët ulur jashtë kafenesë Cafe & Konditorei Rothe në Schwerin të Gjermanisë, u detyruan të vendosin kapele që mbajnë distancën prej së paku një metër ndërmjet tyre.

Mënyra se si po praktikohet kjo metodë inovative është ilustruar nëpërmjet një fotografie të realizuar nga persona prezentë, e cila është publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Kafetë dhe restaurantet kanë filluar të ri-hapen në Gjermani, derisa vendi po fillon të lehtësojë masat e ndërmarra kundër transmetimit të virusit në shkallë të gjerë.

Siç shihet në fotografi, konsumatorët nuk kanë vendosur maska. Shkalla e infeksionit në Gjermani filloi të ngritej gjatë fundjavës, prej 0,94 në 1,13.

Hapje graduale me fqinjët

Gjermania ka vendosur të hapë gradualisht kufijtë me disa nga vendet fqinje. Me Luksemburgun kufiri do të hapet qysh të shtunën, po ashtu pritet që së shpejti të ketë heqje të kontrolleve kufitare edhe me Danimarkën. Këtë dhe lehtësime të tjera e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, të mërkurën, në Berlin, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes se kabinetit te kancelares Angela Merkel. Për vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perendimor, qeveria gjermane vendosi t’i bashkohet këshillës së ardhur po të mërkurën nga Brukseli për zgjatjen e ndalimeve deri më 15 qershor.

Duke filluar që nga dita e shtunë kontrollet në kufi me Austrinë, Zvicrën dhe Francën nuk do të jenë më sistematike, por vetëm rastësore, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Ndërsa në kufirin me Luksemburgun nuk do të ketë më kontroll, po ashtu heqja e kontrolleve pritet të ndodhë edhe edhe Danimarkën. „Për këtë jemi duke biseduar me qeverinë daneze“, tha ministri gjerman.

Meqenëse rregullorja e karantinës për njerëzit që vijnë nga jashtë është kompetencë e landeve federale, Seehofer, si ministër i mbarë Gjermanisë mund të japë vetëm udhëzime: Dhe ai sugjeron që rregulli i karantinës dyjavore, siç është deri tani, të hiqet për shtetas që vijnë nga vendet fqinjë. Sipas ministrit gjerman, Gjermania synon të hapë kufijtë gradualisht edhe me vendet e tjera, si fqinje në lindje si Polonia dhe Çekia, por për këtë ende nuk ka një dakordësim.