Kah do t’ia mbajnë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?!

0

Editorial nga INA – Iliria News Agency
Në vazhdën e debatit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në koluaret politike në spektrin shqiptar po shqyrtohen dhe qarkullojnë opsione dhe kalkulime të ndryshme se si do ndodhë me veprimet e partive. Partitë nuk dëshirojnë të flasin se cila do të jetë strategjia e tyre në rast se pak muaj më vonë do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. INA duke u thirrur në burime partiake brenda kampit politik shqiptar megjithatë ka arritur të deshifrojë disa nga planet dhe skenaret e këtyre partive. Gara veç e veç apo koalicionet janë opsionet për të gjithë, pasi që në sipërfaqe nuk ka ndonjë bashkëpunim të qartë.

BDI dhe partitë në pushtet
Tek kampi i partive në pushtet, BDI pritet të shkojë e vetme në zgjedhje. Por nga kjo parti nuk mohojnë edhe ndonjë koalicion më të gjerë, ku do të përfshihen parti të tjera më të vogla shqiptare. Një nga opsionet që po diskutohet tek një pjesë e qarqeve partiake është të shkohet në një koalicion të gjerë të udhëhequr nga LSDM dhe BDI, të formatit të zgjedhjeve të fundit presidenciale, ku aty do të përfshiheshin edhe dy partitë shqiptare Alternativa dhe PDSH. Ky koalicion shihet i mirëpritur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, megjithatë të gjithë protagonistët shohin edhe rreziqet se mund të humbasin vota dhe ky skenar mund të shkojë në favor të VMRO-DPMNE-së.

Opozita dhe kalkulimet
Partitë opozitare shqiptare deri tani nuk kanë detajuar ndonjë bashkëpunim të qartë dhe nuk po jepen sinjale për koalicionime. Në ASH jozyrtarisht thonë se gjithçka do të jetë hapur dhe se po shqyrtohen të gjitha opsionet. Po kështu vlerësojnë edhe tek Lëvizja BESA. Megjithatë shumë kombinatorika dhe skenare janë në lojë, por që do të formalizohen në momentet e fundit nëse vendi do të shkojë në zgjedhje. Një nga opsionet është një koalicion ASH – Lëvizja BESA apo i ashtuquajturi koalicioni “Aleanca me BESË”, i formatit të zgjedhjeve të fundit presidenciale, ku në kuadër të tyre në do të përfshihet edhe ish-kandidati për president, prof.dr.Blerim Reka, si një nismë qytetare intelektuale. Së fundi në koluaret politike po diskutohet edhe një koalicion ASH me Alternativën e udhëhequr nga Afrim Gashi. Opsioni i tretë i të gjitha partive shqiptare është që të shkohet veç e veç në zgjedhje, për të matur forcat dhe më pas të ndodhin koalicionet paszgjedhore, varësisht nga votat e fituara. Nuk dihen akoma se si do të jenë veprimet e PDSH dhe RDK, dhe se këto parti si do të rreshtohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. (INA)