Kahremani i zgjedhur kryetar i Lëvizjes BESA, vendosi Këshilli Qendror i mbajtur në Shkup

Nexhbedin Kahremani, deputeti dhe anëtari më i vjetër i Lëvizjes BESA është zgjedhur për kryetar të kësaj partie në mbledhjen e mbajtur të Këshillit qendror sot në Shkup.

“Këshillit Qendror në Tetovë për shkaqe të sigurisë dhe kërcënimeve, u propozua që mbledhja të mbahet në Shkup. Për informacionin tuaj ishin shumica e këshillit 67 anëtar nga mbi 100 anëtar. Këtu ishin deputetët dhe shumica absolute e kryetarëve të degëve që nënkupton përfaqësimin e Lëvizjes BESA.”, theksoi zëdhënësi i kësaj partie, Orhan Murtezani.

Sipas tij, në këtë mbledhje u diskutua për përgjegjësinë për rezultatin, bllokimin e partisë dhe shkeljen e statusit nga ana e Bilall Kasamit. Ai tha se për këtë arsye, Këshilli Qendror  vendosi shkarkimin e Bilall Kasamit nga detyra e kryetarit të Lëvizjes BESA.

Ndërsa në detyrën e kryetarit deri në Kongresin partiak të muajit të ardhshëm është caktuar Nexhbedin Kahremani.(INA)