Kallëzim penal për Enver Hasanin “për lajmërim të rremë për Aleksandër Lumezin”

0

Enver Hasani do të nisë një betejë tjetër me drejtësinë.

Këtë radhë për të mbrojtur raportin e tij, i cili ngriti dyshimet për manipulimet e dosjes së provimit të jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për lajmërim të rremë nga Enver Hasani, e cila është klasifikuar si vepër penale dhe sipas informacioneve që posedon Kohavisioni, lënda tashmë i është ndarë një prokurori për shqyrtim.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Shtetit, e cila ka mohuar përfshirjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Lumezi.

“ Kallëzimin penal e ka iniciuar Policia e Kosovës e jo Kryeprokurori i Shtetit. Po ashtu, secili person zyrtar është përgjegjës dhe i detyruar të lajmërojë veprën penale, e cila është zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës, prandaj edhe Policia e Kosovës e ka bërë një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria e Shtetit.

Ky fakt, sipas Enver Hasanit, tregon që Lumezi ka përdorur shtetin për t’i ikur inicimit të padisë civile, në të cilën, ai do të kërkonte ekspertizë të dosjes dhe certifikatës së jurisprudencës.

Hasani, i cili është i bindur se Kryeprokurori ka falsifikuar provimin e tij të jurisprudencës, thotë se shteti, konkretisht institucionet e drejtësisë, duhet t’i heqin këto dilema përmes ekspertizës grafologjike.

Sidoqoftë, ai thotë se nuk e ka problem ballafaqimin me drejtësinë, por thotë ta ketë problem drejtësinë e kapur dhe për këtë ka akuzuar presidentin Thaçi.

Hasani thotë se Lumezi është aty për të mbrojtur agjenturat dhe krimin e organizuar të presidentit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që në ditën e dytë të publikimit të raportit, kishte paralajmëruar padi për shpifje ndaj Enver Hasanit, por një gjë të tillë nuk e bëri asnjëherë.

Pas deklaratave publike të të dënuarit Enver Hasani se Lumezi e kishte manipuluar provimin e jurisprudencës, një ekip i KTV-së dhe një tjetër i Betimit në Drejtësi nisën një hulumtim disajavor që ofroi fakte, dokumente e dëshmi që tregonin se emri i Lumezit ishte shkruar mbi emrin e një Zymer Krasniqi.

Por, Prokuroria e Shtetit i mbylli hetimet pas 21 ditësh, duke thënë se Lumezi, në mënyrë të pakontestueshme, e ka dhënë provimin e jurisprudencës.